Futbollisti i njohur kroat, Luka Modric fitoi gjyqin ndaj shtetit të Spanjës dhe do të përfitojë 3.6 milionë euro dhe për këtë fitore luftoi me vite. Vendimi në favor të Modric u dha nga Gjykata Ekonomike dhe Administrative në Madrid, e cila vendosi që autoritetet tatimore spanjolle e kanë dëmtuar ndjeshëm mesfushorin e Real Madridit më shumë se dhjetë vjet më parë. Flitet për vitin 2012, gjatë të cilit Modric kaloi nga Tottenham në Real Madrid dhe autoritetet i “prenë” një shumë të tepërt parash në fund të vitit.
Ata e ngarkuan me taksa duke u bërë sikur të kishte kaluar gjithë vitin në Spanjë dhe ai kishte qenë anëtar i Real Madridit vetëm nga fundi i gushtit. Sipas mediumit El Mundo, është konstatuar se tatim-mbledhësit i kanë mbledhur tatimin Modricit në shuma të veçanta prej 1.2 dhe 1.5 milionë euro, përveç kësaj e kanë gjobitur me 900.000 euro dhe tani duhet t’i kthejnë gjithsej 3.6 milionë euro.
Administrata tatimore spanjolle u mbrojt duke pretenduar se, edhe pse Modric ishte në Madrid vetëm katër nga dymbëdhjetë muajt e mundshëm, ai e realizonte pjesën më të madhe të të ardhurave në tokën e këtij vendi, por ky nuk ishte një argument që kaloi në gjykatë. Ligji ishte në anën e Modricit sepse thotë se një banor në Spanjë konsiderohet një person që jeton në vend për 183 ditë, dhe Modric kaloi 127 ditë atje në vitin 2012.