Mbreti i Spanjës Felipe VI mbërriti sot në aeroportin La Aurora në Guatemala City për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Bernardo Arevalo të dielën.

I panjohuri Bernardo Arevalo po bëhet president i Guatemalës pas një fushate me tone anti-korrupsion, duke u zotuar të “fusë frikë te elita e korruptuar”, që sipas tij tentuan me çdo mënyra ta ndalonin të fitonte.
Megjithëse 65-vjeçari është i biri i një ish-presidenti, mediat thonë se ishte relativisht i panjohur kur nisi procesi zgjedhor në qershor.

Në gusht ai fitoi 59 përqind të votave, megjithë disa përpjekje të organizuara për ta skualifikuar nga gara.
Fushata e tij raportohet se frymëzoi të rinjtë prej transmetimeve dhe mesazheve në rrjetet sociale.
Mesazhet anti-korrupsion të Arevalo duket se prekën kombin e varfëruar ku dhuna e korrupsioni dërgojnë në emigracion mijëra njerëz çdo vit në kërkim të një jete më të mirë, kryesisht drejt SHBA.
Arevalo është i biri i presidentit reformist Juan Jose Arevalo (1945-1951), që konsiderohet si lideri parë i zgjedhur demokratikisht pas diktaturës së Jorge Ubico.
Familja e tij ka jetuar më parë në Venezuelë, Meksikë e Kili, ndërsa presidenti i ri ka studiuar sociologji në Izrael.
“Unë nuk jam im atë por do të ndjek të njëjtën rrugë që ai nisi dhe këtë do ta bëjmë së bashku”, tha ai në mitingun e fundit.
“Keni qenë prej vitesh preja e politikanëve të korruptuar,” deklaronte Arevalo në fushatë mes tentativave për pezullimin e partisë së Semilla që sollën protesta të brendshme dhe kritika nga jashtë.