Ben Sula, banues në Rrogozhinë është arrestuar nga policia e Durrësit pasi është kapur duke vjedhur shuma parash në 3 banesa të ndryshme, brenda një dite.
47-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje, futej nëpër shtëpia i maskuar e me doreza dhe vidhte para.

Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet rezultoi se më datë 24.12.2023, ka vjedhur në 3 banesa në Golem, shumat 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.

‘Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, 3 ora dore, 2 m fitil zjarrpërcjellës dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura, si dhe doreza, kapuç, gërshërë, automjet dhe veshje që dyshohet se përdoreshin nga Ben Sula gjatë kryerjes së vjedhjeve. Po hetohet për të provuar ligjërisht vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 47-vjeçari.’- njofton policia.

Ben Sula është emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2022, u arrestua si autor i dyshuar i 19 vjedhjeve, pasi vidhte turistët në Sarandë. Gjatë vitit 2021 sërish në sezonin veror të atij viti ka kryer 19 vjedhje, në ambiente të ndryshme, në qytetin e Sarandës. Gjatë arrestimit asokohe iu sekuestruan nga policia, sende me vlerë, aparate celularë, bizhuteri dhe shifra deri në 500 mijë lekë, 11 mijë € dhe 1 mijë $.

45-vjeçari ishte i ndaluar më parë në Greqi dhe Itali ku edhe aty kryente të njëjtat veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.