Nga Ben Andoni

Disa vende perëndimore e kanë artikuluar hapur dhe po e mbajnë hapur narrativën për rrezikun e luftës së re botërore. Jo pak referenca dhe shqetësime vinë nga rajoni, ku në Federatën e Bosnjës, Republika Srpska po sfidon hapur, kurse nga goja e primatit të saj Dodik rrjedhin xhevahire për të ardhmen e padiskutueshme të “Botës Serbe” në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë. Non-grata e tij amerikane dhe e një sërë zyrtarësh të lartë vendas, jo vetëm nuk bën përshtypje, por ky personazh vazhdon të provokojë. Hija e Putin është gati në të gjithë artikulimin e tij. Të tillë lunatikë tashmë janë shtuar. Për Serbinë nuk është e nevojshme të flitet sepse e kemi më afër në kufijtë e Kosovës, paçka paralajmërimeve të shumta që po i bëhen dhe detyrimeve që ka prej “Kumanovës”. Kosova së fundmi do të blejë 260 raketa anti-tank nga SHBA-të, të cilat konsiderohen si shumë të sakta në shkatërrimin e çdo mjeti luftarak, që mund të kalojë kufirin. Nuk besohej se Kosova mund të shkonte deri këtu, nëse Serbia do të respektonte Marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk do provokonte, apo të paralajmëronte siç po e bëjnë rëndom zyrtarët e saj. Nga të fundit ishte Daçiq, që pas katastrofës së fundit në zgjedhje, u mundua të artikulonte se Kosova ishte asgjë për ta nga ana ushtarake…Në fakt, kërcënimi është real në rajon dhe, jo më kot, vlera e “Javelin”-it amerikan që do të blihet nga Kosova, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa dhe 24 njësi për lëshimin e tyre, një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të Republikës së re, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Më shumë në kontinent, pak ditë më parë, Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, paralajmëroi se bota mund të përfshihet nga luftërat, ku cilësoi si shkak orekset e Kinës, Rusisë, Koresë së Veriut dhe Iranit, në pak vitet e ardhshme, duke cilësuar se po lëvizim “nga një botë paslufte në një botë të paraluftës”. Ministri suedez i Mbrojtjes Pål Jonson u shpreh pak ditë më parë për një botë “më të rrezikshme se një vit më parë”, për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe shtoi se: “Ne nuk mund të përjashtojmë një sulm të armatosur kundër Suedisë. Lufta mund të vijë edhe tek ne”. Rusët për të rikrijuar zonat e ndikimit po mundohen me një politikë të bazuar në përdorimin e armëve për të çuar përpara interesat e Kremlinit! Megjithatë, mëndje më të ftohta, besojnë se ky është edhe një lloj diversioni, ndërsa ende ka shpresë për arritje marrëveshjesh. Ka edhe një logjikë që mbështetet në burimet e mundshme ekonomike ruse, që në fakt nuk e justifikojnë këtë frikë, por nga ana tjetër të habisin se embargo nuk e ka gjunjëzuar, prej hapjes së burimeve dhe kanaleve të tjera.

Por, Rusia as nuk do t’ia dijë, kurse Izraeli e sfidoi hapur dhe Autoritetin e Hagës, pa përfshirë Kinën dhe Iranin. Po Shqipëria? Në orët e fundit ka pasur një propozim të kryetarit të PD-së (Legale) Basha për alokimin e 50 milionë eurove nga buxheti 2024 ndihmë për Kosovën, lajm që nuk ka pasur atë impakt që pritej, paçka se në këtë rast flitet për interesa me të cilat lidhet edhe Shqipëria dhe jo thjesht kjo.

Tek ne, kronikat e lajmeve janë ende të mbushura me aksionet e policisë, punën dhe projeksionet e SPAK-ut dhe padyshim fjalët nokturne të Berishës, por aspak sesi mund të mendojmë për të papriturat dhe mbi të gjitha përgatitjen dhe asetet, me të cilat mund të mbrohemi. Për rreziqet e Kosovës pak e më pak! Po a jemi normal, kur merremi në parlament vetëm me sherre absurde? Duket se asnjë i gjallë nga politikanët në Shqipëri nuk po sheh realisht sesi po kanalizohet bota, por kryefjalë është përballja. Apo mbase, vetëm pak të mençurit po mundohen të shpjegojnë diçka? Veçse ata janë fare pak. “Vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e luftës“, shprehej Platoni në kohën e tij, kur luftërat ishin realitet i zakonshëm.