Me vështirësitë ekonomike në rritje, shumë klube kanë orientuar merkaton e tyre nga futbollistët që u përfundon kontrata, në mënyrë që të mund t’i transferojnë pa shpenzuar para.
Rregullorja e FIFA-s për transferimin e futbollistëve, lejon që një lojtar kontrata e të cilit skadon në verë, të mund të firmosë një parakontratë me një skuadër tjetër që në fillim të janarit.
Në këtë mënyrë shumë klube janë vënë në lëvizje për të shfrytëzuar rastet, teksa tregu ofron emra të shumtë dhe mjaft cilësorë, të cilët janë në muajt e fundit të kontratës me skuadrat përkatëse.
Ja futbollistët të cilëve u përfundon kntrata në fund të sezonit:
Kylian Mbappe
Francezi nuk do të rinovojë me Paris Saint Germain dhe me shumë gjasë e ardhmja do të jenë në Madrid, aty ku Reali nuk ka investuar për të sjellë sulmues tjetër. Kontaktet mes palëve vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që Mbappe të firmosë që në janar parakontratën me Mbappe.
Luka Modric
Me thuajse 39 vite mbi supe, Modric duket se nuk do të vazhdojë më me Realin e Madridit përtej këtij sezoni, megjithatë tërheqja duket ende larg. Kroati ka ende forcë në këmbët e tij, por nuk dihet nëse e ardhmja do të jenë në Europë, apo në Arabi ose SHBA, ku i ofrohen miliona dhe qetësi.
Toni Kroos
Edhe mesfushori gjerman nuk ka rinovuar me Realin e Madridit, por negociatat mes palëve vazhdojnë ende. Kroos është një emër që intrigon shumë klube të mëdha në Europë, të cilat janë gati ‘ta lajnë në para’ gjermanin, për ta marrë me parametra zero në fund të sezonit.
Koke
Mesfushorit 31-vjeçar i skadon kontrata me Atleticon dhe deri tani palët nuk kanë shfaqur vullnet për të vazhduar bashkëpunimin. Koke është një futbollist me mjaft eksperiencë dhe ka adhurues të shumtë, sidomos në Serinë A italiane
Adrien Rabiot
Mesfushori francez është rikthyer në formën më të mirë te Juventusi, megjithatë kontrata i skadon në fund të sezonit dhe deri tani nuk ka dhënë sinjale se dëshiron të vazhdojë te bardhezinjtë. Rabiot joshte nga Premier League, aty ku disa skuadra janë gati t’i ofrojnë pagë shumë më të lartë se Juventusi dhe natyrisht edhe një komision të majmë për mamanë e tij menaxhere.
Olivier Giroud
Sulmuesi francez vijon të bëjë mirë te Milani pavarësisht viteve mbi supe, por kuqezinjtë duken të prirur të freskojnë ekipin dhe nuk i kanë ofruar rinovimin. Megjithatë në Itali dhe Francë ka disa klube që janë gati të rrëmbejnë Giroud, i cili nga ana e tij nuk dëshiron të tërhiqet.
Piotr Zielinksi
Mesfushori polak nuk do të rinovojë me Napolin dhe këtë ia ka bërë të qartë presidentit De Laurentiis. Ai ndiqet me interes nga Juventusi dhe Interi në Itali, por joshet edhe nga ofertat arabe, që janë gati ta paguajnë shumë më tepër se në Serinë A.
Tiago Djalo
Mbrojtësi portugez shkëlqeu me Lille, por këtë vit e ka bërë pushim për shkak të një dëmtimi të rëndë. Megjithatë mosha e re, vetëm 23-vjeçare, ka bërë që adhuruesit për Djalo të jenë të shumtë. Në Itali japin Interin për favorit, megjithatë shumë klube të tjera europiane mund të hyjnë në garë fuqishëm.
Alex Meret
Portieri italian nuk ka rinovuar me Napolin, pasi palët janë shumë larg vlerësimeve përkatëse në lidhje me pagën. Gjasat janë që në fund të sezonit të largohet nga Napoli, teksa adhuruesit në Serinë A nuk mungojnë .
Stefano Sensi
Mesfushori është në fund të eksperiencës së tij me Interin dhe me gjasë mund të largohet që në janar, ndonëse kontrata i skadon në verë. Problemet fizike nuk e kanë lejuar të shprehet në mënyrën më të mirë, megjithatë Sensi mbetet një lojtar me cilësi të mëdha dhe me shumë adhurues.
Thiago Alcantara
Ashtu si Sensi, edhe Thiago ka vuajtur vazhdimisht nga problemet fizike, por eksperienca e madhe me klubet më të mëdha europiane, e bën ende një futbollist të vlefshëm.
Mehdi Taremi
Një sulmues që ka bërë shumë mirë me Porton vitet e fundit dhe ndonëse me 31 vite mbi supe, ndiqet nga shumë skuadra. Interi dhe Milani janë më këmbëngulëset, megjithatë nuk mungojnë as adhuruesit nga Premier League.
Leonardo Spinazzola
Anësori italian pritet të largohet nga Roma dhe pavarësisht ekipeve që e duan në Itali, preferon një transferim në Arabinë Saudite. Në vitet e fundit të karrierës, paratë janë ato që vlejnë më shumë.
Anthony Martial
I mbetur jashtë planeve te Manchester United, francezi pritet të largohet në fund të sezonit, këtë herë përgjithmonë. Për Martial interesohen klube të shumta në Spanjë e Angli, por edhe në Itali përbën një rast të mirë.
Tomas Soucek
Mesfushori shtaltartë çek është një pikë e rëndësishme e formacionit të West Hamit, por duket se dëshiron të ndërrojë ambient në fund të sezonit. Piero Ausilio ishte në Tiranë për ta ndjekur nga afër dhe Interi kryeson listën e adhuruesve.