Në vitet e fundit, çdo trofe për lojtarin më të mirë është shoqëruar me polemika, i tillë ishte dhe çmimi FIFA The Best, ku fitues u shpall Leo Messi. Ylli argjentinas mposhti në këtë garë dy yje të tjerë të futbollit botëror, Erling Haaland dhe Kylian Mbappe. Messi mori të njëjtin numër votash sa Haaland, por “pleshti” ishte preferencë e parë e shumicës së kapitenëve të ekipeve përfaqësuese, detaj që bëri diferencën duke i dhuruar këtë trofe.
Messi nuk ishte i pranishëm në ceremoni, po ashtu as Haaland e Mbappe, ndërsa mediat dhe opinioni edhe një herë ngritën dyshime nëse e meritonte apo jo Messi këtë trofe duke sjell disa statistika. Në 2023 Messi realizoi në total vetëm 9 gola me PSG, ishte në fushë kur u eliminua nga Bayern Munich në Champions dhe po ashtu ishte në fushë kur u eliminua nga Marseja në Kupën e Francës. Në fund të sezonit, në 2023, Messi u largua nga PSG për të shkuar tek Inter Miami.
Ndryshe nga Messi, viti 2023 ishte fantastik për Haaland. Biondi udhëhoqi Man.City në “tripletën” e famshme, Champions League, Premier League, Kupë. Në një vit të vetëm, në 2023 realizoi 50 gola. Jo vetëm babai i Haaland, por dhe të pranishmit e tjerë në sallë u habitën nga fakti që trajnerët, kapitenët dhe gazetarët votuan për Messin si fitues i FIFA The Best.