Milan nuk i ndahet Merih Demiral. Është turku alternative e preferuar e kuqezinjve për repartin difensiv në këtë merkato dimërore. Problemet me dëmtimet në prapavijë, bëjnë që kuqezinjtë të tentojnë një sulm tjetër për ish-lojtarin e Juventus.
Problemi qëndron te Al-Ahli, klubi që ka aktualisht në pronësi kartonin e mbrojtësit. Arabët janë kundër propozimit të Milan për ta huazuar Demiral, dhe pranojnë vetëm në rast se kuqezinjtë ofrojnë 20 milionë euro, shumë të cilën e shpenzuan ata vetë kur e transferuan në verën e kaluar nga Atalanta.
Tratativa ka pak gjasa të realizohet, edhe pse Milan do ta provojë deri në fund, nisur edhe nga dëshira e vetë lojtarit për t’u rikthyer në Europë dhe në Serie A, një kampionat që e njeh mirë pasi është aktivizuar më parë në radhët e Sassuolos, Juventus dhe Atalantës. E sigurt është se Milan nuk ka një alernativë tjetër veç Demiral dhe nëse dështon kjo pistë, atëherë Stefano Pioli duhet të menaxhojë vetëm tre qendërmbrojtës në dispozicion si Kjaer, Gabbia e Simic, pasi të dëmtuarit Thiaë, Tomori dhe Kalulu mund të rikthehen vetëm pas gjysmës së parë të muajit shkurt.