Viti 2024 është edhe viti i Kampionatit Evropian të Futbollit, ku Shqipëria është një ndër protagonistet e finales së madhe. Pas përfundimit të festive të fundvitit të gjithë janë rikthyer në pune e cila në aspektin e përgatitjes të evenimentit më të madh të Kontinentit të Vjetër është pikërisht Gjermani 2024.
Brenda kësaj jave kuqezinjtë ashtu si 21 skuadrat e kualifikuara deri më tani për në finalet e europianit do të zyrtarizojnë ndeshjet miqësore që do të luhen në muajin mars, si testi I fundit përgatitore për ndeshjet zyrtare që kuqezinjtë do të luajnë përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, skuadrat me të cilat ndan grupin në Gjermani.
Në grupin tonë vetëm Shqipëria dhe Kroacia ende nuk i kanë mbyllur kontratat për këto ndeshje miqësore, të cilat organizohen nga kompani të lidhura me UEFA-n dhe FIFA-n për organizime të tilla. Ndërkohë, kundërshtarët tanë të mëdhenj si Spanja dhe Italia tashmë i kanë zyrtarizuar ato, “La Roja” apo Furia e kuqe sikurse njihet ndryshe përfaqësuesja Iberike, do të testojë ekipin përpara europianit me Kolumbinë dhe Brazilin, ndërsa Italia ka zgjedhur dy ekipe të tjera amerikanolatine si Peruja dhe Ekuadori.
Ofertat e mbërritura deri më tani në zyrën e Sylvinhos, lidheshin me skuadra që gjithashtu vinin nga kontinente të tjera, gjë që me sa duket nuk janë shumë të preferuara nga trajneri brazilian që kërkon të testojë ekipin përpara finaleve të Europianit e klube që janë në Europë. Nuk është e ndaluar të luhet edhe ndaj një prej skuadrave të grupit, por përgjithësisht stafi teknik zgjedh ekipe të tjera për të ruajtur privatësinë dhe alternativat e formacionit apo mënyrës së funksionimit të ekipit.
Gjithsesi, përveç një emri funksional padyshim që do të kërkohet të jetë edhe një emër prestigjoz që ndeshja të ketë edhe një impakt dhe tërheqje për publikun, por në Europë pak përfaqësuese kanë mbetur të lira dhe këtu mund t përmendim Turqinë që ka dy datat e lira, Hungaria gjithashtu të dyja datat e lira, Sllovenia dhe Franca, Austria kanë nga një datë bosh. Megjithatë, përpjekjet do të vazhdojnë edhe për pak dhe brenda javës do të mësojmë se me kë kuqezinjtë do të provojnë të bëjnë nxemjen përpara aktivitetit të madh.