Jerome Boateng qëndron pa skuadër prej verës së vitit të kaluar kur i dha fund aventurës franceze me Lyonin. Qendërmbrojtësi gjerman, i cili fitoi gjithçka me Bayernin dhe Kupën e Botës me Gjermaninë (2014), është pranë transferimit në Serie A.
Drejtuesit e Salernitanës kanë nisur bisedimet me menaxherin e 35-vjeçarit. Sabatini dëshiron t’u dhurojë tifozëve dhe trajnerit Inzaghi një emër të madh, i cili do të ndihmonte skuadrën të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit italian.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion po zhvillon edhe Franck Ribery. Francezi mbeti te Salernitana në rolin e menaxherit pas tërheqjes nga futbolli. Me Boateng ka një lidhje të veçantë të krijuar gjatë viteve te bavarezët.
Dhe Ribery po iniston të bindë mbrojtësin të pranojë kalimin në Itali. Bisedimet vazhdojnë dhe këto janë orë vendimtare në lidhje me mundësinë e transferimit të lojtarit të prapavijës në Serie A. Salernitana do të ishte klubi i gjashtë në karrierën e lojtarit me origjinë nga Gana, i cili më parë ka luajtur me Hertha Berlin, Hamburger, Manchester City, Bayern Munich dhe Lyon.