Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi e mirëpret mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore, që do të zhvillohet të premten e 19 janarit, por e konsideron të vonuar. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Idrizi u shpreh se është detyrim që palët të ulen në tavolinë. Idrizi shtoi se zgjidhja nuk duhet të jetë e njëanshme, por me kompromis.
“Sa i përket reformës zgjedhore, ne jemi shumë të vonuar, sepse kjo reformë zgjedhore duhet të kishte ndërhyrë me ndryshimet e nevojshme, edhe për zgjedhjet lokale që sapo kaluan. Sigurisht, është për të ardhur keq që kemi humbur kaq kohë, për faj të dy bashkëkryetarëve. Duhet të na japin shpjegime se pse neve na u desh të mblidhemi pas një viti. Është hap i mirë që do të mblidhet ditën e premte. Ne kemi humbur kohë për reformën zgjedhore. E kemi detyrim kompromisin, ne duhet t’i adresojmë problemet që ka Shqipëria dhe shqiptarët. Politika është larguar nga hallet dhe problemet e qytetarëve. Më vjen keq që ne akoma nuk jemi maturuar si klasë politike.
Nuk jemi vetëm për të prodhuar kriza, por edhe për t’i zgjidhur ato me maturi. Unë do të jem prezent në këtë komision, për të dhënë kontributin dhe për të thënë se nuk kemi kohë për të humbur. Po nuk u ulëm në tavolinë, nuk kemi se çfarë të kërkojmë nga pala tjetër. Rregullat e lojës duhet të jenë të qarta dhe të barabartë për të gjithë.
Gjë që nuk e kuptoj është pse ne jemi kaq të vonuar dhe mblidhemi pas një viti, duhet të ma thonë bashkëkryetarët. Ne kemi prodhuar kriza ciklike vazhdimisht, por kjo është e radhës. Politika shqiptare ka dalë jashtë rregullave. Ne kemi 2 vite e gjysmë në një krizë të opozitës, e cila akoma nuk ka shteruar. Nuk dua të shkojmë në atë që ka thënë kryeministri. Besoj se mazhoranca nuk duhet të shkojë në një zgjedhje të njëanshme. Dëshiroj që ta shmangim këtë moment”, theksoi ai.