Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka sqaruar për herë të parë, të vërtetën e fotos së publikuar prej saj në fundvitin e 2023, ku ajo shfaqet në krah me ministret e PS-së Elva Margariti dhe Ogerta Manastirliu.
E ftuar në emisioni “Në Shtëpinë Tonë”, me Alban Musën dhe Julka Gramon, pjesë e darkës së zonjës Tabaku, kjo e fundit ka treguar njohjen që nga matura e vitit 1998 ne gjimnazin “Sami Frashëri” me zonjat e Partisë Socialiste.
Jorida Tabaku: Një foto që unë e postova vetë, mund edhe të mos e kisha postuar vetë, por e postova sepse nuk kishte asgjë të keqe në të. Një grup mikeshash që dalin në një foto, në një festë fundviti. Ne kemi qëlluar nga ato njerëz që edhe 40 e kusur vjeç, ne takohemi me shoqërinë e gjimnazit ndoshta dy herë në vit, qëllon ndonjëherë më pak, ndonjëherë më shumë, takohemi. Ndajmë me njëri-tjetrin shumë informacione. Informacion që për shembull do bëhem me një djalë, jo nga ato që aludohet.
Deputetja e PD , Jorida Tabaku, duke vijuar, e përkufizoi raportin e “darkës së fundit” të saj, si “një shoqëri e bukur që nuk influencon në mendimet dhe pozicionet politike të gjithsecilës”.
Jorida Tabaku: Unë me këto vajzat dhe me ato djemtë, kemi 30 vite që njihemi, me Elba Magaritin jam njohur më përpara, ne shkollë fillore, kemi qenë komshie. Janë njerëz që na ndajnë interesa të tjera, përtej politikës se në fund të ditës, t’i mund të ulesh dhe me ato që kanë mendim ndryshe, por kjo nuk do të thotë se do ma ndryshojë mendimin një drekë apo një darkë. Ne bëjmë shaka dhe ngacmojmë njëri-tjetrin për politikë, por në fund të ditës askush nuk na i ndryshon mendimet, as ato mua as unë atyre.
Jorida Tabaku, rrëfeu çdo gjë nga përditshmëria dhe raporti me 3 fëmijët. Ajo tha se i pëlqen të merret me politikë edhe pse ka pasur momente të vështira, kur ka menduar të shkëputet prej saj. Situata në PD e ka mërzitur dhe ka pasur momente që edhe ka qarë, për të cilat ngushëllimin dhe mirëkuptimin e ka gjetur më pas tek bashkëshorti dhe familja.
Jorida Tabaku: Po ndonjëherë edhe qan edhe i mbush sytë nga inati, kur ndjen që je i pafuqishëm për t’i ndryshuar gjërat. Ndonjëherë edhe mërzitesh dhe zemërohesh. Tani që po kalojmë një periudhe të vështirë, jo të lehtë për të bërë ndryshimin, këtë gjë e merr dhe e transmeton në shtëpi pa dashje, por kam gjetur mirëkuptim nga familja.
Alban Musa: A shkon Jorida Tabaku tek protesta për Sali Berishën?
Jorida Tabaku: Jo unë nuk kam shkuar në protestë edhe pse përgjithësisht kam shkuar në çdo protestë që ka bërë opozita. Ne për këtë çështje kemi 2 vite që debatojmë, shumë veta mendojnë ndryshe dhe unë besoj që duhet ta kalojmë këtë moment dhe nuk duhet që askush nga ne çështjet e veta individuale të përfshijë partinë.
Jorida Tabaku, ka treguar edhe për pasionin për sportin dhe për Tironën, ndërsa ka shtuar se i pëlqen të merret me shtëpinë dhe lulet.