Ish-shefi i NATO-s George Robertson i ka bërë thirrje kryeministrit britanik Rishi Sunak një angazhim të prekshëm “shumëvjeçar” ndaj Ukrainës përballë agresionit të Rusisë.
“Ne duhet ta mbajmë Ukrainën në krye të axhendës sepse ata po luftojnë për ne atje”- tha ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s për Sky News.
“Ajo që dua është një angazhim shumëvjeçar,” shtoi Lordi Robertson, duke thënë se “e vetmja gjë që Kremlini do të dëgjojë është se sa vite [do të] jetë me ukrainasit”.
Sipas Robertson, pushtimi rus ka “përmbysur plotësisht rendin ndërkombëtar” me të cilin jemi mësuar dhe nëse Vladimir Putin “i shpëton duke gëlltitur një vend prej 44 milionë banorësh pikërisht në zemër të Evropës, ku do të ndalet ai?”
“Ai sigurisht nuk do të ndalet me Ukrainën.”
Si rezultat, “do të jemi në rrezik edhe ne të tjerët, sepse ai do të ushqehet nga çdo sukses që do të ketë në Ukrainë”.
“Pra, ata po luftojnë për ne, dhe kjo është arsyeja pse unë besoj se ne duhet të rrisim prodhimin e armëve dhe municioneve në këtë vend në mënyrë që të sigurohemi që ata të marrin pajisjet që kërkojnë në këtë kohë”- përfundoi Robertson.
NATO ‘nuk kërcënon’ Rusinë
Lordi Robertson tha se NATO “nuk po kërcënon Rusinë” dhe aleanca është “thjesht mbrojtëse”.
“Ne po mbrojmë liritë me të cilat jemi mësuar që nga krijimi i NATO-s, por ne duhet të sigurohemi që e gjithë popullata të jetë e angazhuar”- tha ai, ndwrsa shpjegoi se rekrutimi është “pikërisht debati i gabuar që duhet pasur, sepse rekrutimi nuk është një mënyrë e mirë për të vendosur mbrojtjen, edhe pse disa gjeneralë tani kanë filluar ta mbrojnë atë”.
“Rekrutët nuk janë të dobishëm. Vladimir Putin e ka kuptuar shumë mirë këtë. Pra, ne duhet të sigurohemi që shpenzimet tona të mbrojtjes të jenë në një nivel që ka kuptim për llojin e kërcënimeve me të cilat mund të përballemi në të ardhmen. Nëse ne do të mbrojmë Britaninë dhe nëse do të pengojmë agresionin, atëherë duhet të kemi një mbrojtje të fortë të këtij kombi”- theksoi Robertson.