Prej kohësh tashmë, “fantazisti” anglez, Jadon Sancho nuk po kalon kohë e tij më të mirë te “djajtë” e Manchester United, teksa dihet marrëdhënia e tij e tensionuar me klubin dhe teknikun Ten Hag, marrëdhënie e cila e ka lënë prej 26 gushtit jashtë fushave të blerta, mirëpo duket se “vuajtjet” e “yllit” të sulmit kanë marrë fund.

Sipas raportimeve më të fundit, të gazetarit të mirënjohur sportiv, Fabrizio Romano, Sancho është rikthyer te ish-skuadra e tij, Borussia Dortmund, me “Verdhezinjtë”, që e kanë huazuar 23-vjeçarin anglez, deri në fundin e këtij sezoni, me klubin që ka paguar plot 4 milionë euro, për të siguruar shërbimet e tij, si dhe do të paguajë të plotë rrogën e “fantazistit”.

Ndërkaq, kujtojmë se në periudhën e tij, te “gjigantët” gjermanë të futbollit, “ylli” i Kombëtares së “Tre Luanëve” ka zhvilluar plot 137 sfida, ku ka arritur të shënojë plot 50 gola, si dhe të asistojë 64 herë shokët e tij të skuadrës e përsa i përket trofeve ka arritur të fitojë Superkupën e Gjermanisë, në sezonin 2020-2021, si dhe Kupën e Gjermanisë, “DFB Pokal”, në sezonin 2021-2022.