Një bllok apartamentesh u godit nga mbetjet e raketave dhe dronëve rusë të shkatërruar nga forcat ukrainase, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 33 të tjerëve, ndërsa Rusia kreu një sulm të madh ajror ndaj Kievit të martën. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se një grua e moshuar vdiq në një autoambulancë pas plagosjes nga mbetjet e raketave dhe dronëve rusë, të rrëzuar nga Ukraina.
Rusia sulmoi Kievin me breshëri raketash të llojeve të ndryshme sot në mëngjes, duke goditur ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën civile. Autoritetet ushtarake lëshuan alarmin për sulme ajrore që zgjati të paktën tre orë. Klitschko tha se tubacionet e gazit ishin dëmtuar në lagjen Pecherskyi të Kievit dhe energjia elektrike dhe uji ishin ndërprerë në disa zona të kryeqytetit.
“Situata në qytet është e rëndë. Pothuajse 70 raketa u shkatërruan, ky ishte një sulm i kombinuar me dronë iranianë Shahed dhe raketa të llojeve të ndryshme, duke përfshirë atë hipersonike Kinzhal. Shumica e raketave u shkatërruan. Ky është rezultat i rënies së mbetjeve të tyre. Falenderoj Forcat tona të Armatosura dhe Mbrojtjen Ajrore për mbrojtjen e qytetit. Megjithatë, mbetjet e raketave të rrëzuara shkaktuan dëme të mëdha”, tha ai. Ndërprerja e energjisë elektrike dhe ujit riktheu kujtimet e dimrit të kaluar kur Rusia goditi rrjetin e energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe duke lënë miliona njerëz në errësirë.
“Jemi në lagjen Solomianskyi, ku mund të shohim një krater 10 metra të gjerë. Do të kishte më shumë viktima nëse shpërthimi që krijoi këtë krater do të kishte ndodhur disa metra mëtutje”, tha kryebashkiaku i Kievit. Pas breshërisë fillestare ajrore, zëdhënësi i forcës ajrore të Ukrainës Yuri Ihnat tha se situata mbeti e tensionuar dhe se mbrojtja ajrore po përgatitej për më shumë sulme ruse me raketa. Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë periudhës së Vitit të Ri dhe të premten kreu sulmin e saj ajror më të madh që nga fillimi i luftës pothuajse dyvjeçare në Ukrainë, duke vrarë të paktën 39 persona.
Sulmet e fundit pasuan një paralajmërim nga presidenti rus Vladimir Putin se Rusia do të intensifikonte sulmet ndaj Ukrainës, pas një sulmi vdekjeprurës ukrainas të shtunën në qytetin rus të Belgorodit, në të cilin u vranë 24 njerëz dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Gjatë një vizite në një spital ushtarak të hënën, presidenti Putin e quajti sulmin e Ukrainës në Belgorod “një akt terrorist”, duke akuzuar forcat ukrainase se kishin “goditur qëllimisht popullatën civile”.