Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij të radhës nga banesa e tij në atë që është cilësuar tashmë “Rrugica e Shpresës.” Kreu i Rithemelimit, i cili aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie” për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, falënderoi mbështetësit e tij që edhe këtë pasdite ishin mbledhur poshtë banesës së tij në kryeqytet,

“Mirënjohjen më të thellë, për këtë protestë tuaj e cila shpreh vendosmërinë tuaj për një përballje me ketë regjim, i cili në të vërtetë po shfaros në mënyrë paqësore shqiptarët. Me këtë regjim që arriti të vendosë në Shqipëri, pushtetin absolut të një njeriu që nuk ka interes kombëtar, shoqëror, por ka vetëm interesa personale të pushtetit të tij dhe sojit të tij të korruptuar,” u shpreh ish-kryeministri teksa përshëndeste me dy gishtat lart. Ndër të tjera, në fjalën e tij, Berisha komentoi emërimin e Taulant Ballës në krye të ministrisë së Drejtësisë.

“Ka 6 muaj në detyrë, ka arrestuar me operacione false, me dhjetëra fëmijë e adoleshentë. Asnjë ngarkesë droge, asnjë trafikant nuk është vënë pas hekurave, përkundrazi vijnë ngarkesat me kontejner, shkojnë te trafikatët dhe kthehen te policët e Ballës për t’i pirë lëngun. Kjo ndodh se krimi ka vendosur në ministri, përfaqësuesin më të shëmtuar, Taulant Ballën. A nuk ishte ky njeri që me dokumente u gjet se kishte shoqëruar 54 herë, Taulant Begon, Edmond Begon me siguri me çanta kokaine…”

Teksa i ftoi mbështetësit e tij që ta vazhdojnë betejën, Berisha deklaroi se në rrugicën e tij ka vetëm shpresë e dritë, ndërsa në Surel, sipas tij, mbizotëron errësira.