“Katalanasit” e Barcelona kishin mundësinë më të mirë të mundshme, për të fituar trofeun e parë të këtij sezoni, mirëpo ndaj “Galaktikëve” të Real Madrid dështuan totalisht, duke humbur me rezultatin e thellë, 4 me 1, finalen e Superkupës së Spanjës, ku për të thënë të drejtë paraqitja e djemve të teknikut, Xavi ishte zhgënjyese.
Ndër të paktët, nga lojtarët e “Blaugranave”, që ishte i gatshëm për të folur, para mediave, mbi këtë dështim ishte “veterani” i skuadrës, Sergi Roberto, i cili tentoi të anashkalonte gjithccka, duke karikuar skuadrën e tij për pjesën e mbetur të sezonit, ku theksoi se është koha të mësojnë nga gabimet e nga disfatat.
“E vështirë për të përshkruar këtë humbje në Superkupë. Sigurisht që dëshpërimi ka prekur në gjirin tonë, por shpresoj se nuk do na dëmtojë. Jemi të zemëruar për gjithçka ndodhi, megjithatë të enjten do të zbresim në fushë në një tjetër kompeticion dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal, pavarësisht rrethanave.
Koha të mësojmë nga gabimet dhe disfatat. Duke njohur forcën e grupit dhe potencialin që gjendet në të, jam i bindur se do ringrihemi shumë shpejt. Barça e ka në AND-në e saj fitoren, kështu që i drejtohem tifozëve se ndodhemi në garë për trofe të tjerë të rëndësishëm brenda dhe jashtë kufijve”,- përfundoi kapiteni i kampionëve në fuqi, të La Liga.