Ushtria amerikane dhe ajo britanike, me mbështetjen Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, ndërmorën të enjten sulme ndaj objektivave të përdorura nga grupi i rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedente nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha presidenti Biden përmes një deklarate për shtyp.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak gjithashtu njoftoi për sulmet ndaj grupit Houthi.
Ai tha se sulmet e groupit Houthi kanë rrezikuar personelin amerikan, marinarët civilë dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, kanë rrezikuar tregtinë dhe kanë kërcënuar lirinë e lundrimit.
“Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng në akte piraterie”, shprehet presidenti Biden.
Ai shtoi se “nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme” për të mbrojtur njerëzit dhe tregëtinë e lirë.
Sulmet u kryen me raketa Tomahawk të lëshuara nga anijet dhe avionë luftarakë, thanë zyrtarë amerikanë për agjencinë Associated Press. Objektivat ushtarake përfshinin qendra logjistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo armësh, thanë zyrtarët.
Sulmet ishin përgjigjia e parë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj fushatës së vazhdueshme të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Sulmi i koordinuar ushtarak vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet. /VOA