Administrata e Presidentit Joe Biden i riktheu rebelët Houthi, me bazë në Jemen, në listën e grupeve terroriste, thanë zyrtarët amerikanë të mërkurën. Është përpjekja e fundit e Uashingtonit për të frenuar sulmet ndaj anijeve ndërkombëtare.
Zyrtarët thanë se përcaktimi, që vendos sanksione të ashpra për grupin e lidhur me Iranin, ka për qëllim ndërprerjen e fondeve dhe armatimeve që rebelët Houthi kanë përdorur për të sulmuar ose rrëmbyer anijet në detin e Kuq. Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë transportin detar të mallrave në Detin e Kuq, duke nxitur shqetësimet se një përshkallëzim i luftës Izrael-Hamas mund të çojë në destabilizim të Lindjes së Mesme.
“Këto sulme paraqesin atë që përcaktohet si terrorizëm”, tha një nga tre zyrtarët e administratës që informoi gazetarët në kushte anonimiteti, përpara njoftimit zyrtar.
Vendimi për ta ripërfshirë këtë grup në listën e organizatave terroriste vjen pasi avionë, anije dhe nëndetëse luftarake amerikane dhe britanike, ndërmorën javën e kaluar dhjetëra sulme kundër lëvizjes Houthi, që kontrollon pjesët më të populluara të Jemenit.
Milicia Houthi, që thotë se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq u kryen në përgjigje të sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ka kërcënuar me “një përgjigje të fortë dhe efektive”.
“Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë ndikimin keqdashës iranian kudo që të mundemi. Tani vendimi për t’u shkëputur nga Irani i takon lëvizjes Houthi,” tha një zyrtar tjetër për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtonin mundësinë për ta hequr grupin nga lista e organizatave terroriste në rast se ndërpriteshin sulmet ndaj anijeve.
Gjendja humanitare
Administrata e ish-presidentit Donald Trump futi rebelët Houthi në dy lista, duke i përcaktuar si terroristë, një ditë para përfundimit të mandatit të saj, duke nxitur Kombet e Bashkuara dhe disa ligjvënës amerikanë të shprehnin frikën se sanksionet do të shkaktonin ndërprerje të dërgimit të ushqimit, karburantit dhe mallrave të tjera në Jemen.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi grupin Houthi nga lista e organizatave terroriste në 12 shkurt të vitit 2021 për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.
Kombet e Bashkuara e cilësojnë krizën humanitare në Jemen si “të rëndë”, pasi më shumë se 21 milionë njerëz, dy të tretat e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë. OKB-ja thotë se më shumë se 80% e popullsisë përballet me vështirësi për të siguruar ushqim, për qasje ndaj ujit të pijshëm dhe shërbimit shëndetësor.