Spitalet në të paktën katër shtete të SHBA-së kanë rikthyer detyrimin e mbajtjes së maskës pas rritjes së rasteve me COVID, por edhe gripit sezonal dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes, thotë Reuters.
Sipas agjencisë së njohur të lajmeve, strukturat e kujdesit shëndetësor në Nju Jork, Kaliforni, Illinois dhe Masaçusets i kanë bërë sërish të detyrueshme maskat si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor. Komisioni për Shëndetësinë në Nju Jork, Ashwin Vasan pohoi detyrimi i mbajtjes së maskës është sërish në fuqi në të 11 spitalet publike të qytetit, 30 qendra shëndetësore dhe pesë objekte të kujdesit afatgjatë.
“Ajo që nuk duam është mungesa e personelit, apo jo? Kur pamë valën e Omicron-it më 2022, problemet më të mëdha nuk ishin vetëm njerëzit që sëmureshin, por që kishim edhe shumë punonjës shëndetësorë të vijës së pare që u detyruan të qëndronin në shtëpi për shkak të COVID-19”, shpjegoi ai.
Të dhënat e fundit javore nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) treguan se ka pasur mbi 29.000 shtrime në spital nga COVID-i në të gjithë Shtetet e Bashkuara nga data 17 deri më 23 dhjetor, apo 16 për qind më shumë krahasuar me javën paraprake. Për të njëjtën periudhë, raportohen gjithashtu më shumë se 14.700 raste personash të rënduar për shkak të gripit.