Prokuroria Korçë dërgon në gjyq shtetasen Alma Beqiri, e cila nëpërmjet mashtrimit përvetësoi 3 milionë euro.

46-vjeçarja, agjente e shërbimit postar ADEX në Korçë akuzohet se shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.

Shumën e konsiderueshme dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.

Klientët kanë deklaruar se i kishin kryer pagesat rregullisht pas marrjes së shërbimit.

Alma Beqiri ishte menaxhere e postës private në Korçë dhe e gjithë vlera e përvetësuar monetare është mbledhur në harkun kohor të 2 vite.

Hetimet

Nga hetimet rezultoi se si agjente rajonale e shoqërise postare “Adex”, me pronar viktimën F.Z., e pandehura ka kryer transaksione të shumfishta fiktive duke blerë mallra tek persona të tjerë dhe duke raportuar fiktivisht se këto mallra ishin paguar.

Në të njëjtën kohë, duke marrë pagesat e mallrave tek persona të tretë, e pandehura i ka raportuar si të paguara por duke mos depozituar pagesat në llogarinë e shoqërisë Adex duke përfituar në këtë mënyrë nëpërmjet mashtrimit një vlerë rreth 3 milionë euro.

Me urdhër të Prokurorit, shtetasja A.B. është ndaluar dhe iu sekuestruan disa automjete luksoze të cilat janë produkt i veprës penale të mashtrimit, të cilat ajo i kishte vendosur në emër të të afërmve të saj.

Prokuroria Korçë ka po heton paralelisht për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal për të identifikuar pasuri të tjera me origjinë të paligjshme dhe për të identifikuar dhe vënë nën përgjegjësi penale personat e përfshirë.