Nga Klevis Bakillari/

Të gjithë e kujtojnë kur udhëheqësi i rithyer, ndërroi gëzofin dhe veshi atë bluzën karakteristike të Zelenskit. Në ngjyra e kushte politike militare, udhëheqësi ndërmori një fushatë-betejë për të zënë hapësirat e lëna nga ‘babai politik’. Për të cilin mendoi se i trembur nga ushtria e udhëheqësit, do ikte pa kthim. Ishte beteja e zmbrapsjes së ‘Putinit’ të tij.Pjesa tjetër është histori,e zezë,dhe gri.
Masa popullore që pandehte, aty s’ishte më, dhe ai endej si gjeneral i një ushtrie të vdekur. Elektorati traumatik shpejt e riktheu në zyrë. Ndërsa ideali demokratik, kërkonte lartësi të reja!
Me armatën diplomatike nga pas dhe logon e PD në dorë, udhëheqësi që vulos humbjet,s’ia doli mbanë!
Ndryshoi stina politike dhe ndryshoi gëzofi po ashtu. Por jo zakoni! Një luftë tjetër sapo kish filluar. Bluzën militare të Zelenskit stoik, e zëvendësoi diku e paqta jeshile, pastaj diku e zeza e diku grija. Si historia! Lufta, si njëfarë mocioni brenda dy PD-ve, s’gjeti municion politik. Por një disfatë, për të disatën herë. Ky ishte fati i zheles së Zelenskit.

Besnikëria e detyrueshme e Bashës ndaj Amerikanëve, duket se është kusht për vijimësinë e karrierës politike. Pa kushte, grupi i tij është ‘me drejtësinë e re’ si një produkt amerikan. Grupi guerril që zotëron municion politik dhe hedh granata partiake në kuvend e rrugica, rri në anën tjetër të PD. Janë kundër Amerikanëve për shkak të non gradës. Janë kundër drejtësisë re për arsye të problemeve me drejtësinë që ka ‘babai politik’. Për ata drejtësia është edhe vegël e KM. Ky qëndrim i fut në konflikt të dyfishtë me Amerikanët.

Basha është votuar dhe do të votohet nga populli shqiptar, jo amerikan. Në Amerikë nuk ia njohin këtë meritë, në Shqipëri ka më shumë të marrosur pas llotarisë amerikane sesa amerikanizmit.
Ai u rikthye, por pa bashkuar PD, s’mund të ringrihet. Bashkimi i PD është komplementar i proamerikanizmit. Bashkimi është kalë beteje!
Pra, edhe bashkimin do ta bëjnë nëpërmjet një lufte
që sapo ka filluar. Antiamerikanizmi i injektuar prej çeshtjeve të doktorit, do të sjellë rraskapitje. Darët amerikane janë të rënda dhe një pjesë e konsiderueshme e deputetëve, do të hipë në barkun e kalit të betejës së Bashës. Basha është siguria amerikane për opozitën shqiptare por jo siguri për ringjallje! Njëkohësisht zona rreth Bashës, konsiderohet një territor i sigurtë nga amerikanët. Shkatërrimi i kalit prej deputetëve rrebelë por edhe mendjelehtë- harabelë,është frika e tij. Bashkimi nëpërmjet një kali trojan është edhe rrëziku që kompromenton amerikanizmin për Bashën.