Një tërmet me forcë nga 4 deri 5 ballë, goditi vendin tonë, pak pas mesnatës së të shtunës, me epiqendër në zonën ndërmjet Cërrikut dhe Belshit, në një thellësi prej 20 km.
Tërmeti është ndier shumë, pothuajse në të gjithë Shqipërinë e mesme. Ka qenë ora 12 e 27 minuta, atëherë kur të gjithë shqiptarët ishin përpara ekraneve, duke ndjekur Big Brother Vip 3, çka ka bërë që të ndihet edhe më shumë, por fatmirësisht nuk raportohet të ketë shkaktuar dëme.

“Ishte tërmet me magnitudë 4.3 e shkallës rihter, klasifikohet te tërmetet e moderuar. Është pragu që fillon të ndihet efekti sizmik. Më shumë është ndier në Lushnjë, Fier, Kavajë Durrës dhe Tiranë. Tërmeti është relativisht i cekët dhe ka patur efektin në sipërfaqe. Zona ku ka rënë tërmeti është një zonë që njihet për aktivitetin sizmik”, tha sizmologu Edmond Dushi.

Gjatë ditës së diel nuk është shoqëruar me pasgoditje të tjera. Ky tërmet konsiderohet i rëndësishëm nga sizmologët, për shkak se lëkundjet janë ndierë gjatë dhe në një rreze të gjerë. Përdorimi i shumë aplikacioneve të huaja nga qytetarët, bëri që në rrjete sociale të shpërndahen të dhëna kontrdiktore, ndërkohë që sizmologët shpjegojnë se ato janë të dhëna automatike, që gjenerohen nga sistemet dhe vetëm kur tërmetet janë të rëndësishme, siç ishte në këto raste atëherë behën vlerësime të detajuara për rezultate të sakta.