Këngëtarja irlandeze Sinéad O’Connor ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale në moshën 56-vjeçare, tha Gjykata e Inner South Coroner’s Court në Londër në një deklaratë të martën, më 9 janar.
Gjykata theksoi se tashmë kanë përfunduar hetimet mbi vdekjen e saj.
“Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Sinéad-it tonë të dashur. Familja dhe miqtë e saj janë të shkatërruar dhe kanë kërkuar privatësi gjatë kësaj kohe shumë të vështirë”, tha familja e saj në një deklaratë në korrik 2023.
Këngëtarja e “Nothing Compares 2 U” u gjet pa ndjenja në një shtëpi në Londër më 25 korrik 2023. Të nesërmen, një deklaratë e shpërndarë në faqen e internetit të Gjykatës së Kërkimit vuri në dukje se “vdekja e Sinéad O’Connor në Lambeth iu komunikua mjekut të familjes pa dhënë një shkak mjekësor të vdekjes.”
Sipas shënimit, “për këtë arsye mjeku ligjor urdhëroi një autopsi. Rezultatet e kësaj mund të mos jenë [të disponueshme] për disa javë.”
“Një vendim nëse një hetim do të jetë i nevojshëm do të merret pasi të bëhen të ditura këto rezultate dhe të dëgjohen komentet e familjes”- përfundoi deklarata e agjencisë.
Një zëdhënës i Scotland Yard tha për PEOPLE në atë kohë se vdekja e saj “nuk po trajtohej si e dyshimtë”.