Nga Namir Lapardhaja

Duket se ka një bllokim të gjithçkaje në këtë vend. Një politikë që ka marrë peng çdo gjë, përfshi kohën dhe hapësirën e njerëzve; një oligarki që vjedh njerëzit për të financuar politikën dhe mban sherrnajën e opozitës ndezur për t’i dhënë oksigjen dhe jetëgjatësi pushtetit; një pjesë e madhe e shoqërisë që është e paaftë për të bërë ndryshimin dhe nuk ndihet e përfaqësuar, ndaj ka zgjedhur të jetë spektatore në të gjithë këtë lojë që luhet përpara syve të saj.

Për dekada me radhë, politika në Shqipëri ka vuajtur nga mungesa e madhe e moralit, duke u ngritur mbi principin se politika është e pamoralshe dhe morali është “armë” e të dobtëve.

Në fakt, ka ardhur koha pikërisht për të kundërtën.

Në një kohë kur mashtrimi dhe gënjeshtra janë bërë kaq të natyrshme, kur virtyti sheh turpin në sy dhe skuqet, kur propaganda i ka zënë sytë realitetit dhe zëri i arsyes është venitur nga ulërimat e manipulimit, kur njerëzit janë të gënjyer dhe të zhgënjyer nga të gjitha palët, ka ardhur koha që PD-ja të bëjë pikërisht të kundërtën, të “luajë” me të vërtetën përballë gënjeshtrës, me të moralshmen përballë të pamoralshmes, me të drejtën përballë padrejtësisë, me arsyen përballë marrëzisë, si të vetmen rrugë dhe zgjidhje, si të vetmen alternativë dhe mundësi për të krijuar një model dhe një alternativë të re.

Që të fillojë të ndryshojë diçka, që të qarkullojë një erë e re ndryshimi, të largohet pezimizmi dhe të ngjallet një frymë optimiste, PD-ja, si i vetmi shteg i pastër që ka ngel në kontaminimin e gjithçkaje në jetën politike, e ka për detyrë të tregojë se politika nuk është punë dallkaukësh, se përfaqësues nuk duhen zgjedhur ata që gënjejnë më bukur apo ata që premtojnë se do të vjedhin më me lezet, se është e aftë për të krijuar energji pozitive në përputhje me pritshmëritë e publikut, se ndershmëria dhe e moralshmja do jenë në bazë të qëndrimeve dhe të veprimeve të saj.

Vetëm një PD e moralshme e shpëton Shqipërinë nga humnera ku e kumbisi politika 30-vjeçare e tranzicionit.

Çdo makinacion tjetër, e lë në vend, ose përsërit gabimet e së shkuarës, duke i shtuar gabime të reja.