Klodian Duro u bë pjesë e shtëpisë së “Big Brother”, si një ndër imazhet që publiku kishte më shumë pritshmëri. Megjithatë, qëndrimi i ish-futbollistit në “Big Brother”, ishte shumë i shkurtër. Shkak janë bërë pikërisht deklaratat e tij, ku fliste për dhunën ndaj ish-gruas së tij.

Në faktet e zbardhura në vendimin e gjykatës, tregohet se Klodian Duro nuk e pranonte ndarjen nga ish bashkëshortja, edhe pse ishte bërë “De Juro” në 27 janar të vitit 2020. Dorina bashkë me vajzën kishin marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata e Tiranës 1 vit më përpara. Megjithatë, Klodiani nuk hiqte dorë dhe kishte filluar ta përndiqte ish bashkëshorten e tij.
Siç tregon Dorina para oficerit të Policisë Gjyqësore, ai e shqetësonte gjatë gjithë kohës, si në punë, ashtu edhe kur dilte me shoqërinë. Qëndronte i fshehur dhe duke i dalë përpara dhe për këtë shkak thotë ajo ka nisur proceduren për divorc që është dhënë nga Gjykata në 27 janar të vitit 2020. Dorina, gjithashtu ka treguar se Klodiani i shkonte në shtëpi thuajse çdo natë, duke e bezdisur e shantazhuar.

Në datën 5 mars të vitit 2020, Duro ka shkuar në punën e saj, ku kanë nisur të debatojnë me tone të ashpra. Në debat e sipër, ai e ka kapur nga fyti duke e kërcënuar me jetë. Për këtë ngjarje, Dorina shprehet se ekzistojnë edhe pamje filmike që janë vënë në dispozicion të policisë gjyqësore.