Aventura e sulmuesit me origjinë shqiptare Albian Ajetit në kampionatin turk të futbollit me fanellën e Gaziantep zgjati vetëm 5 muaj. Ai u aktivizua 5 ndeshje teksa regjistroi në total 118 minuta, duke realizuar vetëm 1 gola. Tashmë palët kanë ndërprerë bashkëpunimin, teksa Ajeti do të nisë një aventurë të re.
26-vjeçari po synon të rikthehet në Zvicër për t’u ribashkuar me Bazelin. Vëllai i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Arlind Ajetit, formën më të mirë në karrierë e ka pasur pikërisht te Bazeli, ku në 96 ndeshje realizoi 43 gola e asistoi në 21 të tjerë në dy periudha të ndryshme kohore.
Interesim për shërbimet e sulmuesi llapjan ka shprehur edhe Dinamo Bukureshti, megjithatë e ardhmja e tij pritet të jetë në Zvicër ku gjatë këtyre ditëve pritet të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Bazelit.