Juventus ndjen mangësi në repartin e mesfushës, një aspekt që trajneri Massimiliano Allegri e vuan prej fillimit të sezonit. Drejtuesit torinezë po punojnë që në këtë merkato dimërore ta plotësojnë repartin e mesfushës, teksa dy mundësi si Kalvin Phillips e Jordan Henderson nuk u realizuan. Koha nuk premton dhe “Zonja e Vjetër” po mendon tashmë dy emra “loë cost” dhe që kanë eksperiencë në Serie A. I pari është Giacomo Bonaventura. 34-vjeçari që ka zhvilluar të gjithë karrierën e tij në Itali është në skadencë kontrate me Fiorentinën.

Bisedimet për një rinovim të mundshëm janë ndërprerë prej shtatorit dhe te Juventus do të kërkojnë të përfitojnë. Në këtë tratativë, mund të përfshihet edhe Artur që është në huazim në Firence nga bardhezinjtë, por kërkon të qëndrojë pjesë e vjollcëve edhe sezonin pasardhës. Gjithsesi, te Juventus nëse nuk ia dalin për Bonaventurën e kanë edhe një plan “B” që mban emrin e Roberto Pereyras. Një emër shumë i njohur në ambientin bardhezi pasi argjentinasi që është aktualisht pjesë e Udineses, ka luajtur me Juventus nga viti 2014 deri në vitin 2016.

Trajneri Allegri e njeh mirë 33-vjeçarin pasi ishte një lojtar që mori shumë përgjegjësi me mbërritjen e livornezit në Torino. Udinese kërkon katër milionë për ta lënë të lirë ndërsa Juventus këmbëngul për një huazim me detyrim blerje në rast kualifikimi në Champions League. Ndërkohë, një tjetër opsion dhe emergjent është rikthimi i Federico Bernadeschit.