Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj shpreh bindjen se Partia Socialiste do të jetë një forcë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Gjatë një takimi me këshilltarët socialistë në kryeqytet, Veliaj deklaroi se ai dhe PS e Tiranës do të punojnë edhe më shumë për fitoren e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2025.

“Ky është viti i fundit përpara se të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Kush ka menduar se unë, ose kjo administratë, do t’ia varë punës pas 3 mandatesh, e ka gabim. Unë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste do të jap gjithçka. Kjo do të jetë fushata ku do të mobilizohem më shumë, ku do të punoj më shumë për këtë fitore. Jo se kam shok Edin dhe jam anëtar i Partisë Socialiste, por se unë besoj se ky lider dhe kjo parti është e vetmja mënyrë se si ne mund të vazhdojmë progresin”, u shpreh ai.

Teksa Tirana merr në fund të janarit Presidencën e B40-s, Veliaj tha se Tirana duhet të jetë jo vetëm kartolina e Shqipërisë, por edhe një ‘shkollë’ për bashkitë e tjera.

“Do jetë një shkollë ku do të vijnë të gjitha bashkitë e rajonit për të mësuar çfarë kemi bërë mirë në Tiranë, në urbanistikë, në mbështetje sociale, në strehim, në zhvillimin e rrjeteve, në çështjet me marrëdhëniet me jashtë, në imazhin e qytetit, në promovimin e turizmit, në transformimin e qytetit që prodhonte vetëm këpucë edhe këmisha, në një qytet që ka turizëm dhe teknologjinë si motor të fuqishëm të ekonomisë”, tha Veliaj.