Gazetari Artur Zheji i bëri një skaner të plotë situatës aktuale në të cilën ndodhet “Foltorja”, e cila liderin e saj e ka të mbyllur në shtëpi dhe po hetohet për dosjen “Partizani”.

Ai the se mbështetësit e Berishës, që mblidhen poshtë ballkonit te “Rrugica e Shpresës” e kuptojnë se kanë nevojë për një riorganizim të ri, por pa sakrifikuar Berishën. Ky fakt shtoi ai i pengon edhe rrëzon çdo kauzë të tyre për t’u përballur politikisht me mazhorancën.

“Halli i parë i Foltores, është kreu i saj, Ata kanë një dashuri dhe një përkushtim ndaj kreut absolut që ushtron impresion pushtet. Ata e kuptojnë. Ata kanë një ngërç. Ata e kuptojnë që duhet të fillojë një riorganizim i ri, por nuk mund të sakrifikojnë për këtë doktorin. Doktori aq më tepër në arrest shtëpie nuk mund të jetë lideri i një opozitë dhe i foltores, ky është një problem shumë i madh psikologjik”, u shpreh Artur Zheji.

Një tjetër pikë, e cila u analizua në “Real Story” ishte dhe heshtja e Ilir Metës. Sipas Zhejit, mungesa e tij është ulëritëse, dhe në thelb tregon se aleanca e kreut të Partisë së Lirisë me Sali Berishën është në pikën më të dobët.

“Meta është një mungesë shumëshprehëse. Mungesa është kaq ulëritëse, dhe habitshmërisht ka mbetur e panënvizuar. Nuk është debat dhe temë në asnjë emision. Mendoj se mesazhi kryesor, dhe këtu gabon Saliu, nuk është qe Meta do ti thotë Ramës se unë nuk jam me Saliun, por Meta do t’i thotë ameriklanëve se unë nuk jam me non grata. Jam në opozitë, me non grata nuk jam, sepse jam pro-amerikan”, shtoi ai.