Nga Ilir Demalia
Një libër që duhet lexuar. Baraka tek kapiten Baçi.
Dalja e librit “Kohë dashurishë të harruara” të Ardian Cerga, kur pashë titullin, mendova se “Nani”, siç i drejtoheshim Ardian Cergës, madje edhe sot, do të kishte shkruar një libër “erotik” me aventurat e tij të rinisë.
Nani, si djal simpatik në pamje dhe me stilin e veçantë në veshje dhe sjellje, gjithmonë në raport me kohën, si student i Institutit të Arteve dhe aktor në disa filma që kishin bërë impakt për kohën, si “Mësonjtorja” dhe “Në çdo stinë”, me dy role tip “heroi” dhe rebeli, u bë i njohur në të gjithë vendin. Tipa të tillë, e aq më tepër, të tillë, që ishin indiferent dhe me moskokçarës karshi uniformitetit të kohës, apo më saktë, në veshje dhe sjelljet e tyre prej rebeli, krijonin probleme për personin dhe ishin në fokus të “Syrit Vigjilent” të partis.
Me këtë përshtypje nisa ta lexoj librin, e kjo do të thotë, që do të lexoja një libër dashuriçkash me përshkrime erotike të trajtuara në mënyrë fine nga Cerga. Kjo sepse shijet e tij dhe estetika qytetare-artistike, nuk do ta lejonte të binte në vulgaritetin e librave erotikë të realizmit demo(n)kratik, si vazhdimësi edhe sot, dhe si kuturë e letërsisë së realizmit socialist me sundim modele “Dasmash”… Kjo është në përgjithësi dhe në shumicë letërsia rrëfimtare, politike, erotike, tregimtare e pas 1990.
Në librin e tij “Kohë dashurishë të harruara”, autori Ardian Cerga, na vjen me një stil krejt larg dhe ndryshe nga armata e soc-realistëve me vazhdimësinë soc-demo(n)kratike. Kjo, sepse, ndryshe ishte autori edhe në “kohen e kolerës” së soc-realizmit. Ishte ndryshe si formim edhe si strukturë shpirtërore dhe estetike-qytetare. Megjithëse si profesion në aktrim ishte pjesë e armatës së propagandës së regjimit dhe socrealizmit.
Nani, si atëherë edhe sot, ngelet mini-minorancë kundërshtuese e uniformitetit soc-demo(n)kratik në letërsi dhe art. Por edhe në jetën sociale të kotësisë e vanitetit të një shoqërie në decadencë. Dhe për këtë ka “interrnuar” veten jashtë kotësisë metro-kotit, duke u “ngushtuar në një barakë” Aita Hotel buzë Adriatikut. Atje ai gjen hapsirat e horizontit dhe simfonisë së valëve në fokusimin e mendimit dhe filozofisë së jetës duke ushtruar hobin e tij peshkimin. Të kujton njëfarësoi Hemingway në Key West, i cili rrinte me orë të tëra duke zënë peshk dhe fokusuar … Aty shkruajti kryeveprën e letërsisë botërore “Plaku dhe deti”.
Që në faqet e para, libri më “zhgënjeu”, nuk plotësoi atë çfarë kisha menduar, që libri do të kishte si qëllim në vete rrefim dashurishë erotike. Dashurite në libër janë ndërthurur shumë natyrshëm në plotësimin e një plani të gjerë të jetës në kolerën që jetonim, dhe nuk janë aspak qëllim në vetvete apo boshti i librit. Ato janë një plotësim si antikorp çlirimesh dhe ndjenjash ndaj jetës në kolerë, rrefyer me shumë finese. Ndërthurur aq mrekullisht me personazhet e tjerë, duke krijuar një skenë të madhe të dramës shqiptare në kohën e kolerës në një provincë. Sa edhe dashuria dhe seksi i lirë ishin sakrilegj.
Libri megjithëse i shkruar në vetë të pare, autori kujdeset për trupën dhe duket si kur është jashtë saj. Ai lëviz si një trupë me të gjithë personazhet, duke i jetësuar me përshkrimet dhe detajet më të imta, sa të duket sikur je pjesë e asaj ngjarje. Pra autori është një kamera që filmon çdo detaj dhe zbërthen çdo gjë me Baçin, që është filli që përshkon të gjithë jetën dhe i jep kuptimin filozofik me Nanin në bisedat e pafund.
Sigurisht autorin e ka ndihmuar edhe shkolla e aktrimit dhe regjisë në përshkrimin e detajeve dhe dekorit të provincës në exterior dhe interior dhe mizanskenave, të cilat janë gri në të zeze, shi dhe baltë, japin saktësisht kohën e kolerës.
Libri fillon i zymtë me varrimin e Baçit, mikut të Nanit, i cili kishte studiuar për filozofi në Vjenë dhe punonte në provincë llogaritar në pemtoren e kolerës. A nuk kishte shkruar Musine Kokalari, “Në këte vend kushton më shumë 1 kg llaç se një kg tru.”
“Dhe m’u kujtua këtu filozofia e tij (Baçit. Shënim i im.) për vdekjen e varrimin: “Kur të vdes, nuk do të doja të më varrosnin me turmën, se nuk dua që lëngjet e trupit tim të përzihen me ato të të vdekurve të tjerë.”
“… – Më fal, – i thashë, – po tani më duhet të hedh një dorë dhe edhe unë… përshëndetja e fundit.
“Po ç’dhe zeza”-mendova, “Këtu ka vetëm baltë…”
Këtu ka vetëm baltë. Këtu ka vetëm zymtësi. Këtu ka vetëm…
Mardhënia me Anën, ka edhe një lloj dramaciteti. Nani, nuk e di, në se e dashuron Anën, apo?….Këtë e thotë kur e pyet Baçi, në lidhje me Anën, “…kjo është një mardhënie që po zgjat, dhe në këtë qytet është pak e vështirë t’u shpëtosh thashethemeve. Por ajo që më shqetëson më shumë janë intrigat.”
Nani i përgjigjet, “ Nuk e di nëse e dua apo jo. Domethënë nuk jam në gjendje të ndaj pasionin, seksin, rrethanat, mjedisin nga ajo për të cilën po më pyet ti, po që edhe unë pyes veten… Ç’të them, nga njëra anë jam fare i ri, nga ana tjetër nuk dua të ngrys jetën këtu….. Jam 23 vjeç, dreqi ta hajë, dhe duhet ta ngrys jetën këtu si një 93 vjeçar.” Që nënkupton se lindëm të plakur dhe u plakëm të vdekur.
Autori është në një konfuzion ndërmjet seksit, dashurisë, moshës 23 vjeçare. Por ajo që i vinte kapak të gjitha këtyre ishte, se Nani, nuk donte ta ngryste jetën në atë province ku nuk e lidhte asgjë, dhe mbi të gjitha , i kufizuar si njeri dhe hapsirë në “birucën” e tij ku jetonte buzë lumit Osum. Edhe sikur ta dashuronte Anën, nuk do t’ja ushqente vetes pasi ai donte të “arratisej nga interrnimi” në provincë.
Gjatë leximit të librit ndjen si vijë muzikore “Nabucon Korin e Skllevërve”. Me Baçin që ndante bisedat filozofike. Me Anën, me “quksen” Danielën, që punonte si shitëse dhe e kishin hequr nga shitëse se lexonte libra në orar të punës. Babai “qukses”kishte studiuar në Vjenë.
Autori duke mos rrefyer në mënyrë rutinore që në përgjithësi e bën të mërzitshëm leximin, ngjarjet dhe episodet i paraqet të shkurtra dhe i kalon duke lëvizur në kohë dhe vende dhe përmbledhur në një.
Ky stil i jep ritëm dhe të mban ngërthyer dhe të bën që mos ta lëshosh nga dora librin kur e fillon. Një stil tepër intrigues që të mban të lidhur gjatë gjithë kohës. Një lloj realizmi magjik në absurdin e jetës, por që janë reale dhe të besueshme tëresisht për ne që kemi jetuar atë kohë. Nani, të kujton në këtë libër “brezin e humbur”, edhe si stil letrar edhe si rrëfim.
Të kujton “Tre shokēt” dhe “Asgjë e re nga fronti perëndimit” të Remark
Libri mbyllet me vdekjen e Enver Hoxhës dhe Baçit, i cili i thotë para se të vdiste,: “- Të paktën ja arrita kësaj dite… në ditën e vdekjes se Enverit.” Më pas në “birucën e Nanit, shkon “quksja” e cila e pyet Nanin,
“- Po ti, nuk do të shkosh në Tiranë?…
-Jo, – i thashë, – nuk do të shkoj. Dhe, për të qenë i sinqertë, vdekja e tij nuk më thotë asgjë. Është e vonuar. Më është krijuar përshtypja që ne kemi vdekur kohë më pare.”
Libri është treguar mjeshtërisht-artistikisht me një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë. E theme këtë, se unë njoh edhe Nanin, por më shumë Çim Dajën, me të cilin kam punuar në Kinostudio. Çimi, mi ka treguar të gjitha këto ngjarje, përpara se Cerga të kishte ndërmend të shkruante këtë libër, ose nuk e kishte ndërmend fare. Një rrëfim me një gjuhë të thjeshtë i drejtë për drejtë, ku autori nuk ka pasur si qëllim rrahgjoksjet demo(n)kratike të vemjeve “intelektuale” të post 1990 me dy gishta lart, por paraqitjen e një realiteti të kolerës sacialiste që na bën të mendojmë: pse shoqëria shqiptarë ende sot jeton në dyftyrësi dhe pa asnjë lloj realiteti në raport me të vërtetën dhe vlerat.
Dhe atëherë kur vemjet që rrinin të gatshëm si hijenat për të ngritur më pas dy gishtat lart, apo me veshë përpjetë për denoncime në “Trungun e kallzimeve”, Çim Daja përplasej në Kinostudio me sekretarin e KQ të Partisë Punës Foto Çami. “ Elita intelektuale” rrinte si m… në shi, apo të gatshëm për zbatimin e pshurralizmit shqiptar.
Vërejtja që kam për këtë libër është; kur Cerga, shkruan për një regjizor dhe aktor, nuk i përmëd emrat. Njëri i ardhur nga Tirana, dhe tjetri nga Durrësi, regjizori për të vënë në skenë një cfaqje ishte Gezim Kame.
Aktori nga Durrësi që kishte shkuar në Berat, duke u lutur që të recitonte para Ramiz Alisë, ishte Mirush Kabashi. Të dy denoncojnë Ardian Cergën dhe Çim Dajën në Komitetin e Partisë tek sekretari pare, si dy vagabondë që po sabotonin vijën e partisë në “Shtëpinë e Kulturës Berat”, dhe propozuan që ti dërgojnë në prodhim për gjashtë muaj.
E theme këtë, sepse; janë pikërisht kjo kategori që nuk ka bërë asnjë refleksion, asnjë pendesë, por me pafytyrsinë e tyre ngritën dy gishtat lart dhe u jargajosën pas demo(n)kracisë, duke uzurpuar përsëri gjithçka për të mbjatur gjallë shërbimin ndaj të keqes dhe mediokritetit.