Deputeti demokrat, Luan Baçi komentoi zhvillimet e opozitës dhe aksionin opozitar në studion e emisionit “7pa5”, në Vizion Plus. Ai theksoi se ditët e qeverisë në pushtet janë të numëruara, nëse vula i rikthehet ish-kryeministrit Sali Berisha, ndaj për këtë i bëri thirrje drejtësisë që t’i japë fund ‘betejës ligjore’ për vulën e Partisë Demokratike.

“Gjykata e Apelit duhet të mblidhet në mënyrë urgjente për të kaluar vulën tek i zoti, vulën te PD me kryetar Sali Berishën dhe atëherë keni për të parë se sa muaj do të zgjasë qeveria e Ramës nëqoftëse na jep të drejtën që ne kemi. Nuk kanë nga të ikin tanimë, kanë ikur deri tek muri. Kjo është një zgjidhje e detyrueshme që do ta bëjnë, që vulën nuk kanë si ta lënë më te Basha, sepse këtë llogari kanë bërë, që po e lanë vulën te Basha, këto të dalin në një koalicion me artifica të dëmtojnë që të ndahen votat, nuk kanë shanse këtë herë, reagimi i demokratëve do të jetë shumë i fuqishëm”, tha ai. Ai theksoi se opozitës i është tentuar t’i hiqet vazhdimisht fjala në sallën e Kuvendit, duke iu mohuar të drejtat bazë për të komunikuar me qytetarë.

“Kanë qenë me dhjetëra raste në vazhdimësi, ku ne nuk na jepej koha për të folur nëqoftëse një deputet ka 10 minuta për të folur, ne gjithmonë na jepej 1 minutë, 2 minuta, 3 minuta, sipas qejfit të Nikollës dhe disa interpretimeve ligjore që i bëjnë gjithmonë sipas qejfit duke lozr me ata deputetë të opozitës që ata i quajnë opozitë zyrtare, por në fakt është një shtojcë e opozitës, pra e njëjta gjë do të ndodhte dhe ne e plotësojmë këtë vakum për të informuar qytetarët, për të plotësuar, jemi në media”, tha ai duke nënvizuar se funksioni i opozitës pengohet nga mazhoranca në Kuvend.

Ato që shpesh konsiderohet si bllokim i Kuvendit nga opozita, Baçi e konsideron si të vetmen formë proteste për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe ndëkombëtarëve për mohimin që ai pretendon se po iu bëhet të drejtave të opozitës. “Bllokimin e bën mazhoranca, sepse nëse jo do të plotësonte kërkesat tona, sepse edhe kjo është e gabuar kur themi kërkesat e opozitës, nuk kemi kërkesa ne. Ne s’kemi çfarë i kërkojmë mazhorancës, nuk kemi nevojë për privilegje, ne kemi të drejtën tonë kemi ligjin kemi rregulloren, jemi deputetë të votuar njëlloj si deputetët e mazhorancës, jemi më të paktë në numër dhe qeverinë e kanë krijuar ata. Por ne kemi të drejtat tona që nuk mund të na i mohojë mazhoranca”, tha ai duke iu referuar ngritjes së Komisioneve Hetimore. Megjithatë, ai theksoi se ndonëse mazhoranca dëshiron krijimin e kaosit, opozita nuk ka rënë ‘pre’ e të tilla skenave.

“E mirëllogaritur, e parapërgatitur deri aty sa u mërzit Nikolla që ne nuk bëmë ato flakadanët, tymueset. Flakadanë janë ato, por ne iu themi tymuese, më shumë janë simbolike për të tërhequr vëmendjen e opinonin qytetar edhe të ndërkombëtarëve. Madje dha urdhër për herë të parë, nuk pati frikë nga ne deputetët e opozitës se mund ta dhunonim e hoqi gardën, por asgjë nuk ndodhi”, theksoi ai. Përjashtimin e deputetëve të opozitës e cilësoi si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj. “Vendimi hyn në fuqi të martën thanë, në mënyrë që të përjashtuarit të jenë të përjashtuar në dy seanca, t’i kapë edhe dita më 8 shkurt, se po të merrej vendimi ditën e hënë i binte që seanca më 8 shkurt dhe duhej të ishin në parlament. E spostojnë marrjen e vendimit”, tha ai duke e konsideruar si të veprim të ulët.