Për kreun e PAA, Agron Duka forcat opozitare janë të të njëtave ide, por mungesa e bashkimit bën që ato të mos realizohen. Duka tha se dhe me reformën zgjedhore të gjithë artikulojnë të njëjtën gjë, por ideja nuk zbatohet se mungon artikulimi. “Reforma zgjedhore, të gjithë artikulojmë të njëjtat gjëra, i kemi thënë të gjithë, unë me sa fuqi e mundësi kam pas. Pse nuk bashkohemi rreth këtyre ideve, kjo është ideja nëse nuk bashkohemi rreth ideve nuk i realizojmë dot,” tha Duka, i cili ndër të tjera theksoi se sa më shumë të copëtohet opozita aq më keq është.

“Federata nuk ndikohet negativisht edhe nga krijimi I forcave te reja, por sa më shumë të copëtohet opozita aq më keq është. Do ishte shumë e thjeshtë kjo punë nëse Basha e Berisha të mendonin më shumë për opozitën se për veten e tyre. Kemi propozuar 4 koordinatorë, lideri iardhshëm do gatuhet rreth kësaj, mund të jetë Basha, Berisha, ose asnjëri, por duhet të jenë ‘fair’, të mundohen më shumë për këtë se për interesin e vet. Nuk bëhen dot kryeministra të ardhshëm të Shqipërisë. Një megamaxhoranca kur nuk ka përballë opozitë kthehet për boomerang edhe për vetë socialistët”, shtoi Duka në studion e Tirana Live.

Në vijim, Duka u shpreh se Basha e Berisha po mbrojnë interesat e veta të të shkuarës e të ardhmes. “Mendimi im personal, Basha e Berisha mbrojnë interesat e veta të të shkuarës e të ardhmes, nuk ka interes grupimi kur ka ndarje me thikë, si mund të thotë një deputet nuk puqem unë me Açkën se është e Bashës, apo nuk bashkohem se është i Berishës. Basha e Berisha kanë krijuar një përthithje të tillë të të gjithë ideve që duket se nëse këta të dy nuk janë në horizon nuk ka opozitë”, tha Duka.