Nga Ben Andoni

Sekretari i Shtetit Antoni Blinken u largua i qetë nga Shqipëria, pak ditë më parë dhe i relaksuar, kur mendon impenjimin e jashtëzakonshëm të delegacionit amerikan në Konferencën e Munihut. Në fakt, lajmi i vrasjes së disidentit rus, pothuaj i eklipsoi punimet, që u drejtuan për përballjen me Rusinë dhe të ardhmen. Ndërkohë që shprehja e nderimit për Navalnin, kur u shpreh bashkëshortja e tij, përshfaqi nga koreografia e qëndrimit edhe ndarjet e mëdha të vendeve, sa i përket marrëdhënies me Rusinë.

Gjithsesi, në Tiranë përveç lajmeve të vizitës së Blinken dhe komenteve, qoftë dhe të gjërave të pathëna, shumë njerëz u morën me shpjegimin e asaj që z. Blinken nuk e tha direkt, por e përmblodhi kur u pyet për opozitën në frazën se: kishte takuar shumë aktorë të rëndësishëm. Paradoksalisht, kënaqësia më e madhe e shumë opozitarëve ishte sepse Lulzim Basha nuk ishte pjesë e agjendës së vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë! Vetë Basha e përshëndeti në formë shumë korrekte vizitën, ashtu si Mediu dhe një pjesë tjetër e opozitës.

Por, ata që e kuptuan dhe që kanë nevojë për vizitat amerikane të tregojnë status, mendojmë se kuptuan mesazhin e protokollit, që tashmë e tutje duhet t’i drejtohen racionalitetit dhe të ofrojnë një Parti legale, të vërtetë dhe me projeksion real, kundër non-gratës jo vetëm të Berishës, por kujtdo tjetër që e mban këtë damkë dhe, nga ana tjetër të qëndrimit real ndaj SHBA-ve. Nuk mund të jesh pro-amerikan me një kryetar nongrata është e shprehur qartë dhe pastër dhe këtë duhet të kuptoj tashmë Bardhi, Noka & Co. Për këtë s’duhet më arsyetim i koklavitur, ardhja e ambasadorit të ri, apo ndonjë “rrufe” tjetër. Ashtu si për Bashën, paçka artikulimeve të qarta dhe ideve, me bjerrjen e numrave dhe pafuqinë, nuk mund të përbënte një interlokutor, për një masë opozite që e shikon atë si të keqen më të madhe të saj, madje edhe më keq se vetë Rama.