Është një mundësi ideale për të gjithë ata studentë që duan të studiojnë jashtë, por nuk kanë mundësi ekonomike. Bëhet fjalë për fondacionin “Brahim Cen Dauti”, i cili është themeluar nga avokati shqiptaro-amerikan, Ylber Dauti, si një premtim bërë babai të tij, një person që edukimin e brezit të ri e ka pasur në ADN. Fituesi i bursës “Brahim Cen Dauti” do ti ketë të gjitha shpenzimet e mbuluara (tarifën e studimeve si dhe shpenzimet e ushqimit dhe strehimit) për të gjithë periudhën e studimeve universitare. Bursa e parë do të jepet gjatë këtij viti dhe sipas informacioneve fondacioni ka siguruar burime financiare të mjaftueshme për të sponsorizuar bursa për një numër të caktuar studentësh.

“Nëse duam ta zhvillojmë një komb, duhet të fillojmë me shkollat dhe sistemin e edukimit. Duke ndihmuar rininë sot, kemi ndihmuar të ardhmen e kombit tonë. Duke ndihmuar ekselencën kemi ndihmuar trurin e kombit tonë. Im atë, ka qenë shumë i apasionuar pas edukimit. Gjithë jetën e tij e kishte merak dhe është përpjekur të bëjë gjithçka që fëmijët e tij të edukoheshin. Unë vij nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, pasi gjyshi im Cen Smajl Dauti ishte burgosur nga regjimi komunist. Vizioni i babait tim ishte vërtet profetik pasi kohët ndryshuan dhe me shembjen e komunizmit e drejta e shkollimit nuk varej më nga biografia por nga meritokracia.

Babai kishte një mendje brilante dhe një shpirt fisnik. Ishte largpamësia dhe mbështetja e gjithanshme a babës dhe besimi i tij së arsimimi është arma më e fuqishme në jetë, që kanë bërë të mundur për mua të jem ai që jam sot. Prandaj në kujtim të tij dhe të vizionit të tij, unë kam krijuar fondacionin, i cili do të fokusohet në mbështetjen e shkollimit të studentëve të shkëlqyer që nuk kanë kushte ekonomike për të ndjekur studimet universitare”, thotë avokati.