Dani Alves është dënuar me 4 vjet e gjashtë muaj burg pasi është shpallur fajtor për ‘sulm seksual’ me ‘prekje trupore pa dëshirë’. Pas më shumë se 10 ditësh pritje, këtë të enjte, më 22 shkurt u shpall vendimi përfundimtar i seksionit 21 të Gjykatës së Barcelonës, e cili vlerëson se futbollisti e ka kryer këtë krim natën e 30 dhjetorit 2022 në klubin e natës ‘Sutton’. Gjykata ka vlerësuar se krimi i sulmit seksual është i provuar. Për këtë arsye, Dani Alves duhet të vuajë 4 vjet e gjashtë muaj burg, 5 vjet pas lirimit me mbikëqyrje, 9 vite pa komunikim me viktimën dhe të paguajë 150 mijë euro dëmshpërblim plus shpenzimet e gjyqit.

4 vjet e gjashtë muaj që dikton dënimi janë më pak se ato të kërkuara nga prokuroria private (12 vjet, dënimi maksimal) dhe gjithashtu më pak se ato të propozuara nga Prokuroria (9 vjet). Dënimi nuk ka përmbushur as pritshmëritë e mbrojtjes, e cila kërkoi lirimin e futbollistit. Strategjia kryesore e mbrojtjes për gjyqin ishte përdorimi i dehjes nga alkooli, kjo në përpjekje për të ulur dënimin e futbollistit.

Nëse në dëshmitë e para që Alves dha para gjyqtarit nuk përmendej asnjëherë konsumimi i alkoolit, si mbrojtësi brazilian ashtu edhe miku i tij Bruno, i cili ishte me të në Sutton natën e ngjarjeve, bashkëshortja e tij Joana Sanz dhe dy psikologë të mbrojtjes konfirmuan në deklaratat e tyre se futbollisti “kishte pirë shumë” atë natë dhe se kishte ardhur në shtëpi “me erë alkooli”. Prej 14 muajsh tanimë ai është në paraburgim dhe pritet të vuajë pjesën tjetër të mbetur të dënimit.