Kylian Mbappe do të largohet nga PSG në fundin e sezonit si lojtar i lirë. Sulmuesi francez ia ka thënë troç presidenti Al-Khelaifi se nuk do të rinovojë kontratën që i përfundon në verë. Veprim të cilin e përshëndet Christophe Dugarry, ish-sulmuesi i kombëtares franceze, i cili ka një koment edhe për ata që do e vërshëllejnë 24-vjeçarin.

“Më në fund! Jam i lehtësuar, u çlirova. Jam i lumtur për Kylian, e falënderoj për gjithçka ka bërë. Ai është një lojtar i madh, e shijova duke luajtur në Ligue 1.

Tani do të hapë një faqe të re në karrierën e tij. Kylian është fantastik, jam krenar me të. Më vjen mirë që ia tha edhe presidentit vendimin për t’u larguar.

Dhe tani mos guxoni ta vërshëlleni, kushdo që ta bëjë do të jetë humbës. Ky njoftim do t’i çlirojë të gjithë, edhe futbollistin. E ardhmja? Nuk e di se ku do të shkojë, por e di që do të japë gjithçka deri në fund për klubin që do”, u shpreh Dugarry.