Denzel Dumfries gjithnjë e më larg Interit. Mbrojtësi i djathtë holandez po negocion rinovimin e kontratës me zikaltrit, por palët janë shumë larg njëra-tjetrës dhe gjasat janë që Interi ta shesë në verë, për të mos e humbur me parametra zero, pasi kontrata e Dumfries skadon në verën e 2025-ës.

Për holandezin kanë shfaqur interes klube si Bayern Mynih e Manchester United, që edhe verën e kaluar kërkuan informacione, por këtë verë mund ta kenë më të lehtë për ta marrë me një çmim modest, duke qenë se ka vetëm një vit kontratë të mbetur.

Së fundi në garë ka hyrë edhe Aston Villa, që po bën shumë mirë nën drejtimin e Unai Emery dhe pikërisht trajneri spanjoll është ai që preferon shumë Dumfries për korsinë e djathtë.

Sipas medias angleze, ‘villans’ janë gati të ofrojnë 15-20 milionë euro për kartonin e Dumfries, shifër kjo që kënaq jo pak Interin, që e bleu holandezin për vetëm 12 milionë euro nga PSV Eindhoven tre vitë më parë.