Negocjatat e disa vendeve dhe delegacioneve për armëpushimin në Gaza ishin sot në ditën e dytë në Kairo teksa ndërmjetësuesit nuk dukej se po bënin progres.
Zhvillimi vjen teksa Izraelite kërcënon të sulmojë dhe qytetin jugor të Rafah, territori i fundit palestinez që ishte konsideruar relativisht më i sigurtë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan erdhi sot në Egjipt në vizitën e parë në një dekadë, pas tensioneve mes vendeve prej mosmarrëveshjeve mbi partinë egjiptiane Vllazëria Muslimane. Erdogan tha sot se diskutimet me presidentin egjiptian Abdel Fatah al-Sisi, i ardhur në pushtet me një grush shteti në 2013, do të fokusohen vetëm në ofensivën e Izraelit në Gaza, shkruan rrjeti britanik The Guardian.
Dje Izraeli pranoi të dërgojë një delegacion në Kairo, i drejtuar nga krerët e inteligjencës, David Barnea i agjencisë Mossad, dhe Ronen Bar i agjencisë Shin Bet, të cilët janë takuar me zyrtarë amerikanë e egjiptianë atje.
Kërcënimet e ushtrisë së Izraelit për ofensivë në qytetin më jugor Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, kanë sjellë panik mes palestinezëve në kampet e tendave, ku tashmë strehohet rreth gjysma e popullsisë së Gazës.
Nuk është e qartë se ku duhet të shkojnë të zhvendosurit nëse realizohet një ofensivë e tillë teksa Egjipti ka shprehur alarm se palestinezët e shtyrë nga ushtria, mund të kalojnë kufirin e të hyjnë në gadishullin egjiptian Sinai.
Ofensiva izraelite ka lënë më shumë se 25 000 palestinezë të vrarë dhe ka rrafshuar më shumë se 80% të infrastrukturës në Gaza. OKB thotë se popullsia është pranë krizës së urisë./TheGuardian