Fermerët spanjollë kanë bllokuar autostradat me traktorët e tyre sot në rajonin jugor të Andaluzisë, mes protestës kombëtare ndaj kufizimeve të sektorit të bujqësisë.
“Ne jemi këtu nga dëshpërimi, nuk kam emër tjetër për situatën ku na kane vendosur,” tha fermerja protestuese Laura Escribano.
Shumë traktorë me drejtues me jelekë jeshilë ecnin ngadalë në autostradat e të gjithë Spanjës, duke bllokuar trafikun por pa shkaktuar incidente, njoftonte autoriteti vendor i trafikut.
Shumica e protestave ishin përqendruar në zonat jugore të Granada, Malaga, Sevilla e Jaen, ku rrugët kryesore ishin të bllokuara paradite, shkruan rrjeti AFP.
Në Antequera pranë Malaga, fermerët bllokuan autostradën A92 drejt Seville, ku ndaluan dhe organizimin e një gare çiklistike, sipas policisë.
Ndërsa në rajonin verilindor të Katalonjës në kufi me Francën rreth 100 traktorë bllokuan autostradën AP-7 që lidh dy vendet, siç kishin bërë protestuesit dhe një ditë më parë. Protesta të tjera kishte në Valladolid në veriperëndim, në Toledo pranë Madrid dhe Teruel në lindje.
Fermerët po protestojnë thuajse në të gjithë Evropën prej rregullave të reja kufizuese mjedisore të BE, të reduktimit të subvencioneve dhe shtimit të rregullave mjedisore në përgjithesi. Sindikatat kanë planifikuar një protestë madhore para ministrisë së bujqësisë në Madrid më 26 shkurt, që koinçidon me takimin e ministrave të bujqësisë në Bruksel. Spanja konsiderohet si kopshti Evropës si një nga prodhueset më të mëdha të bllokut për sallatën, frutat e perimet, por tre vitet e fundit është goditur nga thatësira e pengesa të pazakonta të prodhimit.