Gol, fitore dhe rekord. Lautaro Martinez po kalon një moment fantastik dhe formë të shkëlqyer, që shpreson të zgjatë sa më shumë.

Në “pokerin” 4-0 kundër Salernitanës erdhi goli i 20-të sezonal në Serie A për sulmuesin argjentinas, kryegoleadori i kampionatit italian. Kapiteni është kthyer në lojtarin e tretë të historisë zikaltër që kap shifrën e 20 golave në Serie A në tri sezone radhazi.

Duke barazuar emra si Giuseppe Meazza, rekordmen me pesë sezone radhazi +20 (1929/30-1933/34) dhe Stefano Nyers me katër sezone (1948/49-1951/52). 20 gola numëron 26-vjeçari këtë edicion, ndërkohë që shënoi nga 21 në 2021/22 dhe 2022/23.

“Jemi pjekur shumë me Inzaghin. Në çdo ndeshje tentojmë të bëjmë presing lart për të rikuperuar topin dhe për të shënuar. Titulli dhe Championsi janë objektiva tanë. Punojmë të gjithë për të dërguar këtë klub sa më lart. Le të vazhdojmë kështu me përulësi“, theksoi kapiteni i Interit.

Në fund një koment për rinovimin: “Jemi në rrugën e duhur, siç tha edhe drejtori. Kanë mbetur disa detaje, nuk është e thjeshtë. Por nuk kemi pse të nxitojmë, pasi kam edhe dy vite e gjysmë kontratë me Interin”.