Mbi 400 persona janë arrestuar në Rusi teksa bënin homazhe për liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili vdiq në një burg në Arktik, raportoi një grup për të drejtat e njeriut.

Vdekja e papritur e Navalnyt, 47 vjeç, ishte një goditje e fuqishme për shumë rusë, të cilët kishin varur shpresat për të ardhmen te rivali më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin. Navalny kishte qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj Kremlinit, edhe pasi i kishte shpëtuar një helmimi me agjent nervor dhe ishte dënuar me disa vjet burgim.

Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi zemërim në mbarë botën dhe qindra persona në dhjetëra qytete ruse ngritën memoriale ad-hoc dhe monumentet për viktimat e shtypjes politike u mbushën me lule dhe qirinj, në nderim të Navalnyt. Në dhjetëra qytete, policia arrestoi 401 persona deri të shtunën mbrëma, tha grupi për të drejtat e njeriut OVD-Info. Ky grup mbledh informacione për arrestimet politike dhe ofron ndihmë ligjore për të arrestuarit.

Mbi 200 persona u arrestuan në Shën Petersburg, qytetin e dytë më të madh në Rusi, tha grupi. Në mesin e të arrestuarve është edhe Grigory Mikhnov-Voitenko, prift i Kishës Ortodokse Apostolike, që është një grup fetar i pavarur nga Kisha Ortodokse Ruse. Ai kishte njoftuar përmes rrjeteve sociale se kishte në plan të mbante shërbesa në kujtim të Navalnyt. Autoritetet e arrestuan priftin mëngjesin e së shtunës jashtë shtëpisë së tij. Ai po akuzohet për organizim të tubimeve dhe u dërgua në burg, por më pas u hospitalizua sepse pësoi një sulm, sipas OVD-Info.

Gjykatat në Shën Petersburg kanë urdhëruar që 42 prej personave që u arrestuan të premten të dënohen me gjashtë ditë burgim dhe nëntë të tjerë u gjobitën. Në Moskë, të paktën gjashtë persona u dënuan me 15 ditë burgim, sipas OVD-Info. Një person u burgos në qytetin jugor Krasnodar, ndërkaq dy të tjerë në qytetin Brjansk, tha grupi.

Lajmi për vdekjen e Navalnyt erdhi një muaj para se Rusia të mbajë zgjedhjet presidenciale, të cilat gjerësisht besohet se do t’i japin Putinit edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar. Pyetjet rreth shkakut të vdekjes janë ngritur edhe të dielën, teksa mbetet e paqartë se kur autoritetet do t’ia dorëzojnë familjes trupin e tij.

Një ditë më herët, ekipi i Navalnyt tha se politikani “u vra” dhe akuzuan autoritetet se me qëllim po zvarrisin procesin e dorëzimit të trupit të tij. Nëna e Navalnyt dhe avokatët kanë pranuar informacione kundërthënëse nga disa institucione ku ata shkuan të kërkonin që t’iu dorëzohej trupi i pajetë i kritikut të Kremlinit.

“Ata po na shëtisin në një rreth dhe po fshehin gjurmët e tyre”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.

“Në burg, gjithçka mbulohet nga kamerat. Çdo hap që ai ka hedhur është incizuar nga të gjitha këndet në gjithë këto vjet. Çdo punonjës ka kamerë që incizon. Në dy ditë, nuk ka pasur asnjë video që është publikuar apo që ka rrjedhur në publik. Këtu nuk ka vend për paqartësi”, tha më 18 Shkurt aleati i ngushtë i Navalnyt, Leondi Volkov.

Nënës së Navalynt nga autoritetet i është dorëzuar një njoftim, ku thuhej se ai vdiq të premten në orën 14:17, sipas kohës lokale, tha Yarmysh. Kur nëna e Navalnyt arriti në burg të shtunën, zyrtarët e burgut i thanë se djali i vdiq nga “sindroma e vdekjes së papritur”, tha Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit të Navalnyt Kundër Korrupsionit.

Përmes një deklarate, më 16 Shkurt një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë deklaroi se e Navalny u ndje keq, pas ecjes dhe më pas humbi vetëdijen. Një autoambulancë shkoi në tentim për t’i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, ishte mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht. Në Gusht, Navalny ishte shpallur fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e kishte mohuar gjithmonë, dhe autoritetet e dënuan me 19 vjet burgim shtesë. Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. /REL/