Michael Tasellari është shqiptari i parë që punon në kompaninë e Elon Musk, “Space X’, përkatësisht në sektorin e satelitëve. I ftuar në “Shqipëria Live” ai tregoi disa nga hapat e tij që e çuan deri në kompaninë e një prej personave më të pasurve në botë.
Tasellari tha se ka bërë studimet në SHBA në fushën e elektronikës dhe më pas ka nisur të punojë në disa kompani. Gjatë punës në Amerikë i ka ardhur ftesa për të punuar në “Space X’. Ai është përgjegjës për menaxhimin, dizenjimin dhe zhvillimin e bordeve që mundësojnë operimin e satelitëve. Për sa i përket Elon Musk, 27-vjeçari u shpreh se është një gjeni dhe se personat që punojnë me të e admirojnë.
“Pasi mbarova shkollën kisha fatin të filloja në një kompani në industrinë e robotikës, pastaj kalova në një kompani tjetër që merrej me zhvillimin e moduleve. Nuk kamë qenë i bindur se në cilën fushë kam dashur të punoj, kështu u ndala tek telekomunikacioni, kështu punova tek CISCO për disa kohë. Ndërkohë që punoja aty fillova të angazhohesha edhe me punët e mia personale me ortakun tim nga Kina. Kultura e punës në kompaninë e Elon Musk është goxha eksesive, futen shumë orë punë, çdokush atje punon minimumi në ditë 12-13 orë, janë shumë ditë punë edhe fundjavave me orë te zgjatura.
Ka pasur ditë që kemi punuar deri në 12 të natës. Por nuk është se i detyron njeri të qëndrojnë aty. E bukura është që të gjithë këta persona janë të talentuar dhe të zgjuar, janë gjithashtu të apasionuar shumë pas hapësirës, kështu që nuk i intereson shumë titulli ose leku. Ata që punojnë aty, shumica prej tyre, janë të rinj, 25-35. Isha duke punuar tek CISCO dhe më ofruan një vend, unë nuk e mora me shumë seriozitet. Thash okej po e konsideroj, vazhdoi diskutimi gjashtë muaj, më çuan në Kaliforni dhe pashë se çfarë po bënin. Më pas thash që mund të jetë një sfidë që dua ta marr. Në divizionin e satelitëve nuk mendoj që ka shqiptar që punon aty, se i njoh të gjithë. Përgjegjësia ime aty është për pjesën e dizenjimit dhe menaxhimit të pjesëve elektronike.
Që merren me pjesën e komunikimit, si menaxhohet dhe si lidhet. Satelitët që janë aty nuk merren me kontrolle, por thjesht me përhapjen e valëve të internetit. Unë e kam takuar fizikisht, por kamë qenë në dy mbledhje online me të. Po prezantonim një projektin tonë. AI është gjeni, është shumë i saktë. Kam vënë re që edhe kur flet është shumë i zënë, e jep mesazhin edhe largohet. Shumë njerëz që punojnë për të e admirojnë dhe thonë që është një nga privilegjet më të mëdha”, tha ai.