Zyrtarët e administratës dhe inteligjencës amerikane janë të shqetësuar se Izraeli po planifikon një ndërhyrje tokësore në Liban që mund të nisë në muajt e ardhshëm nëse përpjekjet diplomatike dështojnë për të larguar Hezbollahun nga kufiri verior, sipas CNN. Ndërsa nuk është marrë ende një vendim final nga izraelitet, shqetësimi është mjaft i madh brenda administratës së Bidenit se perspektiva e një operacioni tokësor është përfshirë në raportet e inteligjencës për drejtuesit e shtetit. Madje, inteligjenca amerikane ka informacion se Izraeli po bëhet gati që të futet në Liban në fillim të kësaj vere.
“Ne po operojmë me supozimin se një operacion ushtarak izraelit do të ndodhë në muajt e ardhshëm,” tha një zyrtar i lartë i administratës Biden. “Jo domosdoshmërisht menjëherë në javët e ardhshme, por ndoshta më vonë. Një operacion ushtarak izraelit po shihet përherë e më tepër si i mundshëm”. Udhëheqja e Hezbollahut, një grup i fuqishëm paraushtarak i mbështetur nga Irani, ka shprehur mbështetje për palestinezët dhe ka dënuar ofensivën e Izraelit në Gaza.
Ka pasur muaj të tërë sulmesh të përditshme vdekjeprurëse ndërkufitare si nga Izraeli ashtu edhe nga Hezbollahu që kanë zhvendosur dhjetëra mijëra banorë libanezë dhe izraelitë nga shtëpitë e tyre. Izraeli ka goditur me artileri, dronë dhe avionë, ndërsa Hezbollahu ka përdorur arsenalin e tij të madh të raketave.
Ndërsa SHBA-ja është një ndërmjetës kyç në negociatat për ndalimin e luftës në Gaza, administrata Biden ka udhëhequr gjithashtu diskutime paralele me zyrtarët izraelitë dhe libanezë, që nëse do të ishin të suksesshme, do të krijonin një zonë tampon brenda Libanit jugor. Kjo marrëveshje ka të ngjarë të shtyjë një inkursion izraelit, besojnë zyrtarët amerikanë.