Gola, raste, përmbysje dhe ripërmbysje.
I ka të gjitha përballja mes Romës dhe Interit, teksa në fund janë zikaltrit ata që festojnë, pasi triumfuan me rezultatin 2-4 dhe morën një tjetër 3-pikësh të rëndësishëm, që i shkëput të paktën momentalisht +7 nga Juventusi i vendit të dytë.
Pa Inzaghin në stol, që mungonte për shkak pezullimi, Interi gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të Francesco Acerbit, që festoi ditëlindjen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Megjithatë Roma shënoi dy herë brenda pjesës së parë me anë të Mancinit dhe El Sharaëit, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-1.
Pjesa e dytë foli e gjitha për zikaltrit, që shënuan golin e barazimti me Thuram, u rikthyen në avantazh falë autogolit të Angelinos dhe në shtesë shënuan me Bastonin golin që vulosi suksesin në “Olimpico”.
Nga ana tjetër Roma bëri shumë pak dhe Lukaku shpërdoroi një rast të artë për të marrë hak për vërshëllimat e “San Siros” vjeshtën e vitit të kaluar, teksa De Rossi pëson humbjen e parë në stolin verdhekuq, pas tri fitoresh radhazi.