Këtë fundjavë në LaLiga, vendoset sërish në skenë ndeshja derbi e kryeqytetit spanjoll, Real Madrid-Atletico Madrid. Në një intervistë për “ESPN”, trajneri i “Los Colchoneros” kërkoi të zbuste atmosferën mes dy rivalëve të përjetshëm të Madridit ndërsa theksoi se e admiron presidentin Florentino Perez.
“Florentino Perez menaxhon më së miri një nga klubet më të mëdha të botës, në mos më i madhi. Dhe këtë e bën në mënyrën më të shkëlqyer, unë e admiroj shumë. Klubi ecën gjithnjë para pavarësisht emrave që largohen, në vitet e fundit nga aty kanë ikur emra si Ronaldo, Ramos apo Casillas. Por, Reali mbetet fitues sepse menaxhimi i klubit është në nivelet më të larta. Perez është nga ata persona të cilët duhen marrë shembull”.
Në vijim të intervistës, Simeone shpjegoi se është natyrale që trajnerët të lodhen gjatë karrierës së tyre pasi profesioni i teknikut është tepër i ngarkuar me stres. Vetë argjentinasi zbuloi se momenti më i lumtur për të është kur fle gjumë, pasi në atë moment është i qetë.
“Para disa ditësh më pyeti bashkëshortja se cili ishte momenti im më i lumtur gjatë një dite. Për një moment nuk kisha fjalë, por pastaj i thashë se momenti më i mirë është kur fle gjumë. A e dini përse? Sepse në atë moment askush nuk më flet dhe kam qetësinë e munguar. Jam në paqe me qetësinë”, u shpreh Simeone.