Lionel Messi mund të jetë sërish pjesë e Olimpiadës plot 16 vjen nga prania e tij e parë në këtë event madhor të sportit. Falë rregullit që lejon grumbullimin e tre lojtarëve mbi 23 vjeç, kapiteni i Argjentinës mund të jetë protagonist në “Paris 2024”.

Mirëpo kjo hipotezë nuk është pritur mirë nga Jerome Rothen, ish-lojtari i PSG-së dhe Francës, i cili ka një hapësirë në “RMC”, të quajtur “Rothen s’enflamme”, ku shprehu pakënaqësinë e tij për ta parë Messin në Lojërat e Parisit:

“Disa e kanë kujtesën e shkurtër. Ai e ka kritikuar PSG-në, Francën, Parisin që kur u largua. Të gjithë francezët e respektuan Messin kur erdhi këtu. Respekti duhet të jetë reciprok. Në fakt, nuk ka qenë kurrë kështu. Kur u largua, goditi PSG-në”.
“Paraqitja e tij nuk ishin kurrë në nivel. Nënshkroi me PSG-në për të shkëlqyer në Kupën e Botës. Ai ishte inteligjent, e shfrytëzoi komoditetin në Paris dhe fitoi Kupën e Botës”.

Rothen gjithashtu deklaroi se do ta vërshëllejë Messin nëse do të shkojë me Argjentinën në Lojërat Olimpike. Përveç kësaj, u kërkoi dëgjuesve të bënin të njëjtën gjë: “Unë, si parizien dhe francez, nëse e shoh përsëri këtu me Argjentinën… Do të kërkoj që të vërshëllehet.

Nuk po them se duhet të jemi të dhunshëm, por ta vërshëllejmë kur të dalë në fushë. Kjo për t’i treguar se jemi shumë të pakënaqur me imazhin që ka dhënë për PSG-në, Parisin dhe Francën. Le ta dijë se nuk do ta presim me tapet të kuq”.