Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, njëherazi ministër i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga akuzon kryetarin e partisë, Arben Taravari se ka shkelur statutin dhe ka dalë kundër vendimit të Kryesisë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Lloga tha se Kryesia Qendrore e ASH ka vendosur që Aleanca të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ndërsa Taravari, pak ditë më parë përmes një statusi në rrjetet sociale, njoftoi se ASH do të shkojë në koalicion me bllokun opozitar shqiptar. Por kjo lëvizje duket se kërkon të favorizojë partinë e madhe maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE e cila identifikohet me emrin e antishqiptarit Nikola Gruevski.
“Aleanca do të renditet në krah të forcave perëndimore, por a me kampin opozitar apo atë qeverisës? Këto kanë krijuar dritëhije në struktura dhe ishte e vetmja mënyrë që partia të ruajë unitetin të shkojë e vetme në zgjedhje. Vendimin e ka marrë Kryesia qendrore në mënyrë unanime përfshirë edhe zotërinë Taravari. Dhe për çudi, pa mandat, as të Kryesisë Qendrore, as të Kuvendit Qendror, përmes Facebook që është e papranueshme, shkelje e statutit, vendimit të Kryesisë dhe pjesa tjetër ajo që keni parë ju dhe të gjithë të tjerët”, u shpreh Lloga.
Numri dy i ASH tha gjithashtu se në parti po ndodh ajo që paralajmëroi lideri i VRMO-DPMNE në 16 janar parashikoi saktë atë që do të ndodhë në Aleancën për Shqiptarët.
Por a do t’i mbijetojë ASH përçarjes?
Lloga ka shpresë se të shtunën, kur të mblidhet Kuvendi Qendror, çështjet do të marrin zgjidhje, edhe lidhur me të ardhmen e Aleancës për Shqiptarët.
“Fatkeqësisht shanset që t’i mbijetojë përçarjes po zvogëlohen. Por ka një mundësi e cila mbetet ditën e shtunë në orën 13.00 në Shkup, në punimet e Kuvendit të partisë të shoshiten të gjitha këto gjëra. Kryetari të japë detaje për takimet dhe propozimet që ka bërë, shkeljet statutare që janë javët e fundit për mosthirrjen e Këshillit Drejtues, Kryesisë Qendrore, apo dhe ofertave politke të cilat ai i ka dhënë përmes Facebook dhe jo përmes organeve të partisë“, tha Lloga.
Krenar Lloga thotë se Arben Taravari ka humbur mbështetjen në ASH si dhe paralajmëron se ai po shkon drejt humbjes së legjitimitetit për të drejtuar partinë.
“Nga kupola e partisë e cila ka 7 anëtarë, Taravarin e mbështet vetëm një nga nënkryetarët. Dy sekretarët e partisë po mbesin në parti, dy nënkryetarët e partisë mbesin në parti, kryetari i Kuvendit Qendror mbetet në parti dhe mbetet zoti Taravari me një nënkryetare, bashkë me një deputet, duan të vazhdojnë rrugëtimin drejt Bilall Kasamit. Nga 8 deputetët e Aleancës për Shqiptarët, 6 kanë konfirmuar dhe do të jenë në ASH, deputeti i Sarajit ende nuk është shprehur. Pra, ASH është në epërsi përballë kryetarit të deritanishëm, sepse legjimiteti i tij është vënë në pikëpyetje”, tha më tej Sekretari i Përgjithshëm i ASH dhe njëherazi ministër i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu, Lloga tha se Taravari ka falsifikuar firmat e anëtarëve të Kuvendit të Qendror për të pretenduar se ka shumicën e tyre.
“Aty ka emra që nuk janë në partinë tonë që nga 2021, 2022”, tha ai.
Lloga akuzon Bilall Kasamin e partisë BESA se ka ndërhyrë në situatën që po kalon ASH me qëllim përçarjen e saj, njësoj siç ka përçarë partinë e tij vit pas viti ku nga ai subjekt janë krijuar 5 apo 6 parti të vogla.
“Bilall Kasami është njeriu i përçarjes nga viti 2016. Nga partia e tij ka buruar partia Alternativa, partia e zotit Kastriot Rexhepi, partia e Arjanit Hoxhës, dhe disa parti të tjera. Pra, nga një subjekt janë shpërndarë disa cikërrima. Në 2016 kishte 5 deputetë, doli me dy pastaj. Në 2020 ishte me 4 deputetë, sot ka vetëm një. është një investim i faktorit të jashtëm dhe jo të brendshëm, që vijnë nga zhvillimet në Ballkan dhe në botë”.