Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi, konfirmoi për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KosovaPress të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Të enjten, në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.