DVP Vlorë/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Sarandë-Ksamil”, ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për këtë rast, specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka goditur automjetin tip “Lancia”, që po shtyhej nga disa shtetas, për shkak se kishte pësuar defekt. Për pasojë humbi jetën në spital, njëri nga këta shtetas, E. Ç., 15 vjeç, si dhe mbeti i dëmtuar drejtuesi i automjetit “Lancia”, shtetasi D. Ç., 24 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Po nga këta specialistë u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 55 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Konispol-Sarandë”, nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore, për të ndaluar automjetin, të cilin pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se e drejtonte në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Xh., 60 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 17-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum refeuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. B., 65 vjeç, pasi është konstatuar duke transportuar me një automjet tip kamion, një sasi inertesh, që dyshohet se do ta hidhte në një vend në Orikum.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës dhe Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.