Nga Slavoj Zizek

Tashmë ka kaluar një shekull nga vdekja e Vladimir Leninit dhe më shumë se tre dekada që kur projekti i tij bolshevik u shemb. Por, ndërsa pjesa më e madhe e jetës së tij politike ishte shumë problematike nga këndvështrimi i sotëm, pragmatizmi i tij i pamëshirshëm, siç mund ta quante dikush, ka ende vlerë.

Le të kujtojmë angazhimin e njohur të Leninit për “analizë konkrete të situatës konkrete”. Duhet të shmangim edhe besnikërinë dogmatike ndaj kauzës edhe oportunizmin joparimor. Në kushtet e botës reale që ndryshon me shpejtësi, e vetmja mënyrë për t’i qëndruar vërtetë besnik një parimi – të mbetesh “ortodoks” në kuptimin pozitiv të termit – është të ndryshosh pozicionin tënd. Kështu, në vitin 1922, pasi kishin fituar luftën civile kundër çdo parashikimi të mundshëm, bolshevikët përqafuan “Politikën e Re Ekonomike”, duke lejuar një hapësirë shumë më të gjerë për pronën private dhe tregun.

Në shpjegimin e këtij vendimi, Lenini përdori analogjinë e një alpinisti që duhet të tërhiqet “që të shkojë shumë më tej”. Pasi numëroi arritjet dhe dështimet e shtetit të ri sovjetik, ai arriti në përfundimin: “Komunistët që nuk kanë iluzione, që nuk i dorëzohen dëshpërimit dhe që ruajnë forcën dhe fleksibilitetin e tyre ‘për t’ia nisur gjithmonë nga e para’ në ballafaqimin e një detyre shumë të vështirë, nuk janë të dënuar (dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të humbasin).”

Dëgjohen jehonat e Søren Kierkegaard, teologut danez nga i cili marksistët mund të mësojnë shumë. Çdo proces revolucionar, besonte Lenini, nuk është gradual, por përsëritës, një lëvizje e përsëritjes së fillimit përsëri dhe përsëri.

A ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar vendin ku jemi sot? Pas “katastrofës së errët” të 1989-ës, e cila i dha fund epokës që filloi me Revolucionin e Tetorit të 1917-ës, nuk mund t’i imponohet më ndonjë vazhdimësi kuptimit që ka pasur “e majta” gjatë dy shekujve të fundit. Edhe pse momente të paharrueshme si kulmi jakobin i Revolucionit Francez dhe Revolucionit të Tetorit do të mbeten në kujtesën tonë, ato histori kanë mbaruar. Gjithçka duhet të rimendohet nga një pikënisje e re.

Një qasje e re është më e rëndësishme se kurrë tani që kapitalizmi global është bërë e vetmja forcë e vërtetë revolucionare. Ajo që mbetet nga e majta është e fiksuar me mbrojtjen e arritjeve të vjetra të shtetit social, një projekt që shpërfill në masë të madhe se sa shumë kapitalizmi e ka ndryshuar strukturën e shoqërive tona gjatë dekadave të fundit.

Sigurisht që ka përjashtime. Ndër teoricienët dhe politikanët e rrallë që e kanë njohur këtë proces ka qenë Yanis Varoufakis. Kapitalizmi, argumenton ai, po shndërrohet në tekno-feudalizëm, kjo është arsyeja pse retorika tradicionale antikapitaliste po humbet tërheqjen e saj. Implikimi është se ne duhet të braktisim demokracinë sociale dhe idenë e saj qendrore për një shtet social të majtë-liberal.

Në mënyrën e duhur leniniste, Varoufakis sheh se objekti i analizës sonë kritike (kapitalizmi) ka ndryshuar dhe ne duhet të ndryshojmë bashkë me të. Në të kundërt, thjesht do ta ndihmojmë kapitalizmin të rivitalizohet në një formë të re.

Forma e pragmatizmit e Leninit nuk është aspak e disponueshme vetëm për të majtën. Muajin e kaluar, Ami Ayalon, një ish-lider i Shin Bet (Shërbimi i Brendshëm i Sigurisë i Izraelit), bëri thirrje për një ndryshim paradigme: “Ne izraelitët do të kemi siguri vetëm kur ata, palestinezët, do të kenë shpresë. Ky është ekuacioni.” Për shkak se Izraeli nuk do të jetë i sigurt derisa palestinezët të kenë shtetin e tyre, autoritetet izraelite duhet të lirojnë Marwan Barghouti-n, liderin e burgosur të Intifadës së Dytë, që të udhëheqë negociatat për të krijuar një të tillë.

“Shikoni pak sondazhet palestineze”, thotë Ayalon. “Ai është i vetmi lider që mund t’i udhëheqë palestinezët drejt një shteti përkrah Izraelit. Pikë së pari sepse ai beson në konceptin e dy shteteve dhe, së dyti, sepse e fitoi legjitimitetin e tij duke u ulur në burgjet tona”. Në fakt, shumë e shohin Barghout-in (i cili ka qenë i burgosur për më shumë se dy dekada) si një lloj Nelson Mandele palestinez.

Ose le të marrim parasysh një shembull edhe më befasues. Javën e kaluar, kreu i Ushtrisë Ukrainase, Valeriy Zaluzhnyi, pas raportimeve në media se ai së shpejti mund të shkarkohet nga posti i tij, botoi një koment që parashtronte prioritetet e tij për Ukrainën dhe identifikonte ato më të lartat për përpjekjet luftarake. “Sfida për forcat tona të armatosura nuk mund të nënvlerësohet”, shkroi ai. “Kjo sfidë është krijimi i një sistemi krejtësisht të ri shtetëror riarmatimi teknologjik.”

Kjo nënkupton një dyfishim të “sistemeve pa pilot – siç janë dronët – së bashku me lloje të tjera armësh të avancuara, që i ofrojnë Ukrainës mënyrën më të mirë për të shmangur përfshirjen në një luftë pozicioni ku ne nuk kemi përparësi”. “Gjenerali i hekurt”, siç e quajnë ndonjëherë, pranoi më pas se, me aleatët kryesorë që janë të zënë me tensionet e tyre politike, Ukraina duhet të përgatitet për një reduktim të mbështetjes ushtarake.

Komentin e Zaluzhnyi-t e shoh si një ndërhyrje leniniste (pra, parimore-pragmatike). Të majtët radikalë dhe vetë Zaluzhnyi do ta konsiderojnë këtë karakterizim si absurd dhe unë nuk jam ekspert në betejat për pushtet që po zhvillohen aktualisht në Ukrainë, as për rolin e Zaluzhnyi-t në to. Thjesht po them se Zaluzhnyi ka kombinuar me mjeshtëri besnikërinë ndaj qëllimit (ruajtja e pavarësisë së Ukrainës dhe integritetit territorial si shtet demokratik) me një analizë konkrete të situatës në fushën e betejës.

E thënë troç, e kemi kaluar fazën heroike të rezistencës popullore ndaj pushtuesit dhe të luftimeve personale pranë vijës së frontit. Ukraina duhet të riorientohet duke adoptuar teknologji të reja të përshtatshme për një luftë të zgjatur dhe duhet t’i paraprijë ngurrimit në rritje të vendeve perëndimore për të ofruar ndihmë pafundësisht. Ukraina do të duhet gjithashtu të vërë rregull në vendin e saj, duke vepruar më me vendosmëri kundër korrupsionit dhe oligarkëve, dhe duke shprehur qartë se për çfarë po lufton.

Mbi të gjitha, Ukrainës i nevojitet një vizion i përbashkët që nuk është ngushtësisht nacionalist ose i përcaktuar nga dyshimi se e majta ukrainase është pro-ruse. Për t’i bërë ballë efekteve të rraskapitjes nga lufta, ukrainasit duhet ta vënë veten në vendin e alpinistit të Leninit.